Parisi u shndërrua në mjedis të pakëndshëm për Messin, pse po fishkëllehet nga tifozët e vet?
Një pjesë e tifozëve të Paris Saint-Germainit e fishkëllyen Lionel Messin kur emri i tij u thirr para ndeshjes që kampioni francez e humbi kundër Lyonit në shtëpinë e vet.
Disfata e së dielës mbrëma në Parkun e Princave ishte e shtata në shtëpi për PSG-në këtë sezon.
Argjentinasi, për të cilin po flitet se do të kthehet në Barcelonë kur t’i mbrojë kontrata me PSG-në, e ka përjetuar eliminimin nga Liga e Kampionëve dy herë në rrethin e 16 më të mirëve në dy sezonet e tij në klub.
Fishkëllimat ndaj tij u dëgjuan kur spikeri i stadiumit e thirri emrin e tij para ndeshjes, megjithëse disa tifozë të tjerë e thirrën emrin e tij në shenjë përkrahjeje, raporton Nacionale.
🚨🇦🇷 Leo Messi was booed by the Parc des Princes when the PSG XI was announced. pic.twitter.com/ZGAPWNqpjD
— EuroFoot (@eurofootcom) April 2, 2023
Bradley Barcola e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Lyonin, që nxiti tifozët vendas t’i fishkëllenin lojtarët e vet pas përfundimit të ndeshjes.
PSG-ja i ka humbur shtatë prej 18 ndeshjeve në të gjitha garat pas Kupës së Botës, pavarësisht se para saj kishte qenë e pamposhtur në 22 ndeshje.
Messi është në bisedime me PSG-në për vazhdimin e marrëveshjes, por Barcelona i ka kërkuar atij të kthehet në klubin ku i kaloi pjesën dërrmuese të karrierës.
Pse Messi po fishkëllehet nga tifozët e vet?
Mbase gjëja më e pazakonshme për Messin është t’i dëgjosh tifozët e tij ta fishkëllejnë emrin e tij. Nuk i kishte ndodhur kurrë në karrierën e tij të shquar.
Bile, emri i Messit është nderuar e brohoritur edhe nga tifozët kundërshtarë në ndeshjet si mysafir kur ai luante për Barcelonën.
Sulmuesi 35-vjeçar i ka shënuar 29 gola në 67 ndeshje për PSG-në deri më sot.
Messi u fishkëllye nga tifozët ultras të klubit kohe pas kohe edhe kur merrte topin ndaj Lyonit, jo vetëm para fillimit të ndeshjes kur u thirr emri i tij.
Tifozët ultras të PSG-së e fajësojnë Messin – i cili iu bashkua klubit në verën e vitit 2021 si lojtar i lirë – për dështimin e klubit në Ligën e Kampionëve.

Kritikat dhe pakenaqesitë ndaj tij vijnë kryesisht për largimin e hershëm të klubit nga gara më prestigjiozve evropiane për klube në dy sezonet e fundit, pas disfatave ndaj Real Madridit dhe Bayern Munich, përkatësisht, në rrethin e 16 më të mirëve.
Tifozët mendojnë se fituesi i Kupës së Botës nuk ka bërë dhe nuk po bën mjaftueshëm për skuadrën për ta arsyetuar pagën e lartë që e gëzon.
Messi është lojtari i tretë më i paguar në PSG, pas Kylian Mbappes dhe Neymarit.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë u fishkëllye edhe në sezonin e tij të parë në Paris dhe thirrjet kundër tij nuk janë ndalur më që atëherë.
Kundër Messit nuk janë çuar vetëm tifozët, megjithatë.
Jerome Rothen, ish-lojtar i PSG-së, javë më parë i bëri thirrje klubit të mos ia vazhdojë marrëveshjen Messit, duke këmbëngulur se do të ishte ide shumë e keqe.
“Vazhdimi i kontratës së Messit është budallallëk", tha ai.
“Nuk e kuptoj pse Messi dëshiron ta vazhdojë aventurën. Ai nuk bën përpjekje për ta çuar klubin përpara. Ai kurrë s’i falënderon tifozët, ai e ul kokën dhe shkon në zhveshtore. Ai nuk dëshiron të investojë më shumë në këtë projekt, prandaj është ide e keqe ta mbash”, nënvizoi ai.