"Më kujton paksa Sarrin", Jorginho insiston se Arteta ka ngjashmëri me ish trajnerin e Chelseas
Mesfushori Jorginho thotë se trajneri Mikel Arteta i rikujton atij Maurizio Sarrin.
Italiani iu bashkua "Topçinjve" në fundin e afatit kalimtar dhe brenda një kohë të shkurtër ka nisur të bëhet pjesë e rëndësishme e skuadrës të Premierligës.
Jorginho që kishte lidhje të ngushtë me Sarrin, ka thënë se ka ngjashmëri me Artetan, pasi i pëlqejnë trajnerët që janë të fokusuar deri në detaje.
"Ai më kujton paksa Sarrin. Jam mësuar të punoj me trajnerë që shikojnë detaje".
"Për mua, detajet e bëjnë ndryshimin mes një skuadre të mirë dhe asaj fituese. Jam i sigurt, 100 për qind që ai i shikon detajet shumë".
"Jam këtu për një kohë të shkurtër, por jam i sigurt që do të jetë diçka e re dhe për këtë arsye jam i emocionuar sepse mund ta shoh sa mund të mësoj këtu".
Sarri ishte në krye të Chelseas gjatë vitit 2018-19, edhe pse koha e tij nuk mbahet mend shumë, u bë trajneri i parë që ishte i pamposhtur në 12 ndeshjet e para në Premierligë.
Ai fitoi edhe Ligën e Evropës para se të rikthehej në Itali, ku mori drejtimin e Juventusit, e tani është pjesë e Lazios.