Mbappe: Benzema është favorit për ta fituar Topin e Artë, Real Madrid është makineri në këtë aspekt
Kylian Mbappe është prononcuar për të përditshmen franceze, L'Equipe, ku është shprehur rreth favoritëve për Topin e Artë, ku në mesin e treshes kryesore e ka renditur edhe emrin e tij.
Mbrëmë u mësua lista me 30 kandidatët që do të synojnë për ta fituar çmimin e madh të Topit të Artë. Ajo çfarë zgjoi më së shumti kurreshtje ishte mungesa e Leo Messit, gjë e cila ndodh për herë të parë që prej vitit 2005.
Për L'Equipe, sulmuesi francez, Kylian Mbappe, ka thënë se pret që Karim Benzema ta fitojë Topin e Artë, marrë parasysh të gjithë sezonin fitues që e ka pasur me fanellën e Real Madridit, duke ngadhënjyer si protagonist në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga.
Sidoqoftë, ai nuk e përjashton edhe veten nga ekuacioni, ku së bashku me Sadio Manen, beson se do të jenë tre lojtarët që do të jenë në podiumin e emrave kryesorë për çmimin në fjalë.
Deklarata e plotë e Mbappes
Kylian Mbappe nuk e ka fshehur aspak faktin që Karim Benzema është në përparësi domethënëse për të triumfuar në garën për Topin e Artë dhe atë me meritën më të madhe, marrë parasysh atë çfarë ka dëshmuar gjatë sezonit të mëparshëm.
"Karim ka bërë sezonin e jetës së tij. Besoj që ai është favoriti. Është 34-vjeç dhe ka bërë një sezon madhështor, më të mirin në tërë jetën e vet. Ka fituar Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe shpesh ka qenë vendimtar. Real Madridi është makineri për Topin e Artë dhe kjo gjë duhet pranuar", komentoi Mbappe.
Madje, ylli i ri francez tregoi edhe se çfarë do të bënte ai nëse Benzema nuk do ta fitojë Topin e Artë.
"Nëse nuk do ta fitojë, unë do të ndalem së besuari përgjithmonë në Topin e Artë", theksoi ai.
Mbappe ka pasur individualisht një sezon të mirë me PSG. Madje, ishte ndër lojtarët e vetëm që nuk u kontestua asnjëherë nga tifozët parisienë për shkak të paraqitjeve të tij.
Vetëm në Ligue 1 në 35 paraqitje sa zhvilloi, shënoi 28 gola, duke kontribuar edhe me 19 asiste tjera. Edhe në Ligën e Kampionëve ishte lojtari më i dalluar te PSG, duke shënuar 6 gola dhe 6 asiste në 8 paraqitje. Për këtë arsye ai është renditur në emrin e lojtarëve që janë nominuar për ta fituar edicionin e sivjem të Topit të Artë.

