Marca: Ronaldo dëshiron të luajë edhe në Kupën e Botës të vitit 2026
Gazetat "Marca" është e sigurt se Cristiano Ronaldo nuk e ka ndër mend të dorëzohet me kaq, por është përcaktuar të jetë edhe në Kupën e Botës të vitit 2026.
Ishte një Kupë e Botës për t’u harruar për Cristiano Ronaldon. I tillë ishte edhe komplet ky vit për të, me zhgënjime e dështime të njëpasnjëshme, që e vendosën në pozitë të vështirë si në nivel klubi, ashtu edhe në kombëtare.
Edhe pse ai është 37-vjeç, ka një vendosmëri për ta sfiduar veten, e që është për t’u admiruar. Kështu, ai dëshiron që ta sfidojë bilologjinë, duke u përcaktuar që të jetë protagonist edhe në Kupën e Botës të vitit 2026 që do të zhvillohet në Amerikën Qëndrore.
Një lajm i tillë jepet nga “Marca” dhe përcjellët edhe në mediet portugeze. Kupa e Botës do të nisë më 8 qershor 2026 dhe atëherë sulmuesi portugez do të jetë 41-vjeç.

Gjithsesi, faktori moshë duket se nuk i bën përshtypje Ronaldos sipas burimeve të përditshmes spanjolle, e cila e ka përcjellur edhe nga afër këto ditë sa sulmuesi 37-vjeç ka qëndruar në Madrid për të bërë stërvitje vetanake.
Ai për Portugalinë ka dhënë një kontribut enorm, duke shënuar 118 gola në 196 ndeshje të zhvilluara, për të qenë kështu golashënuesi më i mirë i kësaj kombëtare në historinë e saj.
Triumfi i Argjentinës, goditje e rëndë për Ronaldon
Gjithmonë në bazë të asaj çfarë shkruan “Marca”, thuhet deklarativisht se triumfi i Argjentinës në Kupën e Botës në Katar ka qenë një goditje e rëndë për Ronaldon.
Pas përvojës në Madrid, ai ka udhëtuar në drejtim të Dubait për të pushuar paksa pas Kupës së Botës, siç dëshmojnë edhe këto pamje të siguruara nga gazeta spanjolle.

Një kapitull jo shumë i lavdishëm ai për Ronaldon në Katar me fanellën e kombëtares së tij. Në fazën e eliminimit direkt u la në bankinë.
Ky trajtim u cilësua si jomeritor nga familjarët dhe miqtë e tij të afërt. Personi që u gozhdua me kritika ishte pikërisht Fernando Santos, i cili ishte përzgjedhës i Portugalisë deri në këtë Botëror, para se të shkarkohej më pas.
Shumë zëra thonë se pikërisht lënia në bankinë e Ronaldos i ka kushtuar edhe më shumë Santosit për t’u larguar nga funksioni i përzgjedhësit të Portugalisë.

Sidoqoftë, ai tani është lojtar i lirë dhe ka edhe disa javë në dispozicion për ta gjetur një klub të ri. Manchester United që në nëntor kumtoi zyrtarisht se ka shkëputur kontratën e pesë herë fituesit të Topit të Artë, pasi i njëjti shkaktoi një bumerang të madh me intervistën e tij te gazetari britanik Morgan, ku kritikoi tej mase klubin dhe trajnerin Ten Hag për qasje aspak të drejtë karshi tij.
Ndërkohë Ronaldo po vazhdon të refuzohet nga të gjithë. Është vetë “Marca” ajo që shkruan se futbolli evropian iu ka kthyer shpinën Ronaldos, duke iu referuar refuzimeve të njëpasnjëshme të klubeve elitare nga Evropa për ta pasur atë si pjesë e organikës së tyre.

Kështu që, i gjendur në këtë pozicion, Ronaldo me shumë mundësi mund ta vazhdojë karrierën e tij në Lindjen e Mesme, në njërën prej klubeve që kanë shprehur interesim që ta kenë në radhët e veta.
Deri tani interesimi i Al Nassr nga Arabia Saudite duke më konkreti, por akoma nuk është definuar ndonjë marrëveshje mes përfaqësuesve të futbollistit dhe drejtuesve të klubit në fjalë.


