Manchester Unitedi triumfon me përmbysje ndaj Forest, Arsenali ndalet me barazim nga Fulhami
Manchester Unitedi ka arritur të marrë fitore të madhe me përmbysje të rezultatit në 3:2 ndaj Nottingham Forest, ndërsa Arsenali u ndal me barazim nga Fulhami 2:2, në javën e tretë të Premierligës.
Për të dy këto skuadra, që cilësohen në rangun e favoritëve të Premierligës, ishte një fillim i vështirë, që panë vetën në disavantazh për t’u kthyer në lojë vetëm në pjesën e dytë.
Manchester United – Nottingham Forest
Mysafirët e filluan vrullshëm takimin në Old Trafford, duke shënuar dy gola të shpejtë brenda pesë minutave të para.
Zhvillohej minuta e dytë, kur Awoniyi, gjeti golin për epërsinë fillestare 1:0, i asistuar nga Gibbs-White.
Vetëm dy minuta më vonë, Willy Boly, shënoi për ta dyfishuar epërsinë për Forest.
Skuadra e Erik ten Hag reagoi, duke ngushtuar rezultatin me anë të mesfushorit danez, Christian Eriksen, në 2:1, në minutën e 17-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Djajtë e kuq u kthyen në lojë në pjesën e dytë, kur Casemiro në minutën e 52-të shënoi për ta barazuar rezultatin në 2:2.
Qendërmbrojtësi Joe Worrall mori karton të kuq për mysafirët, për ta vështirësuar punën për skuadrën e tij në minutat në vazhdim. Natyrisht këtë e shfrytëzoi Manchester Unitedi që në minutën e 76-të, Bruno Fernandes gjeti golin e fitores për 3:2 nga penalltia.
Djajtë e kuq kështu marrin fitoren e dytë nga tri ndeshje të zhvilluara, ndonëse nuk kanë bindur edhe aq shumë në asnjërën prej ndeshjeve deri më tani.
Arsenal – Fulham
Arsenali nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë ndaj Fulhamit në Fly Emirates, ndonëse gjatë një momenti përmbysi rezultatin.
Ishte Fulhami që gjeti golin e para në këtë takim, duke shënuar qysh në minutën e parë me anë të Pereiras për 1:0, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.
Në 45 minutat e dyta, Arsenali në një moment përmbysi gjithçka. Ishte fillimisht Bukayo Saka që shënoi nga penalltia në minutën e 70-të, për të barazuar në 1:1.
Dy minuta më vonë, Eddie Nketiah, gjeti golin për epërsinë e parë të Arsenalit në ndeshje, kur shënoi për 2:1.
Por kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë doli Palhinha, që barazoi në 2:2 në minutën e 87-të, për rezultatin përfundimtar.
Tani Topçinjtë pas dy fitoreve radhazi, vijnë deri te barazimi i parë në sezonin e ri.