Manchester Unitedi akuzohet nga lojtari i vet për trajtim kriminal
Dean Henderson ka goditur skuadrën e tij Manchester United, duke thënë se ka pasur trajtim ‘kriminal’. Sipas tij djajtë e kuq e mbanin me zor në skuadër si rezervë e David de Geas, duke mos e lënë të largohet në formë të huazimit.
Henderson iu bashku Nottingham Forestit në formë huazimi në këtë afat kalimtar veror pasi ishte i nevrikosur se nuk po i jepej shansi për të luajtur në United.
Anglezi erdhi në skuadrën e parë në sezonin 2020/21, duke bërë 26 paraqitje në të gjitha garat, por luajti vetëm tre herë gjatë sezonit 2021/22, pavarësisht se ish-trajneri Ole Gunnar Solskajer i premtoi minuta më shumë në klub.
Çfarë tha Henderson?
“I hodha poshtë shumë huazime në verën e kaluar për shkak se më ishte premtuar pozita e titullarit, pastaj ata nuk më lanë të largohesha. Ishte zhgënjyese. Të ulesh në bankë dhe të kalosh 12 muaj pa lojë është vërtetë kriminale, sidomos në moshën time”, thotë fillimisht Henderson.

Ai vazhdoi duke thënë: “Në bisedën që pata, pasi përfundoi Kampionati Evropian, ishte se kur të kthehesha në skuadër do të isha numri një në portë. U infektova me Covid-19 fatkeqësisht dhe pastaj askush nuk i mbajti fjalët që tha.”
Karriera e Hendersonit
Dean Henderson iu bashkua Manchester Unitedit si 14-vjeçar në akademinë e skuadrës, pastaj u dërgua pesë herë në katër skuadrave në huazim, përpara këtij huazimit në Forest.
Skuadrat ku u dërgua në huazim ishin: Stockport County, Grimsby Town, Shrewsbury Town dhe Sheffield United dy herë.
Ftesën e parë nga Kombëtarja angleze e mori në tetor të vitit 2019, ndërsa debutimin e tij e bëri një vit më vonë, por që në Kampionatin Evropian 2020 u detyrua të tërhiqej nga ekipi kombëtar pas një lëndimi të pësuar.
25-vjeçari tani shpreson se do të paraqitet rregullisht në skuadrën e re, e cila u promovua në këtë sezon në Premierligë.

Henderson arriti në Nottingham, pasi që skuadra e porsapromovuar mbeti pa numrin një të portës, Brice Samba. Por anglezi momentalisht është vetëm në huazim, ndërsa skuadra angleze synon që marrëveshjen ta bëjë përfundimtare në fund të sezonit, pasi që ka atë mundësi.
