Manchester City me një lojtar më pak fiton ndaj Nottingham Forest, vazhdon e vetme në krye të Premierligës me pikë të plota - NACIONALE

Manchester City me një lojtar më pak fiton ndaj Nottingham Forest, vazhdon e vetme në krye të Premierligës me pikë të plota

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni në fuqi, Manchester City, ka vazhduar me fitore në Premierligë. Kësaj radhe si vendas kanë shënuar fitore 2:0 ndaj Nottingham Forest, edhe pse luajtën gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak. ‘Qytetarët’ me fitoren e radhës vazhdojnë kryesimin në elitën angleze, e vetmja skuadër me pikë të plota.

Skuadra e Pep Guardiolës zhvilloi një pjesë të parë tejet të mirë, ku vetëm ata shiheshin me topin në këmbë në fushë.

Loja e mirë sulmuesi bëri që ata të shënojnë dy gola të shpejtë, që të jenë më të qetë në vazhdimin e takimit.

Fillimisht në minutën e shtatë ishte Phil Foden që shënoi gol të bukur, pasi u asistua nga Kyle Walker, për 1:0.

Tetë minuta më vonë, në shprehje erdhi Erling Haaland, që shënoi bukur me kokë pas harkimit të Matheus Nunes, për 2:0. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit.

Me të filluar pjesa e dytë, ndodhi një incident në fushë që ndryshoi rrjedhën e lojës. Ishte Rodri që bëri një gjest josportiv duke grushtuar një kundërshtar, me spanjollin që u përjashtua direkt me të kuq.

‘Qytetarët’ ranë në tempon e lojës dhe nuk arritën që për 45 minuta të krijonin as edhe një rast të vetëm, me mysafirët që rrezikuan tri herë në këtë pjesë, që u ndalën bukur nga portieri brazilian Ederson Moares.

Me rezultatin 2:0 përfundoi takimi dhe Manchester City vazhdon me pikë të plota në krye të Premierligës pas gjashtë javëve të zhvilluara.

Lajme të ngjashme