Manchester City i afrohet kreut të tabelës dhe e thellon në krizë Newcastle Unitedin - NACIONALE

Manchester City i afrohet kreut të tabelës dhe e thellon në krizë Newcastle Unitedin

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Manchester City ka arritur ta fitojë një ndeshje mjaft të vështirë ndaj Newcastle United me rezultat 2:0, kështu për të vazhduar ndjekjen e Arsenalit, e cila është në krye të Premierligës, ndërsa në anën tjetër mysafirët janë thelluar në krizë dhe në gjashtë ndeshjet e fundit nuk dinë për fitore në elitë.

Për herë të fundit që laraskat fituan një ndeshje në kampionat ishte ajo më 15 janar ndaj Fulhamit, që nga atëherë kanë pësuar tre humbje e kanë barazuar në tre ndeshje tjera.

Të udhëhequrit e Pep Guardiolës ishin shumë më të mirë në takimin e zhvilluar në Etihad, duke dominuar në posedim dhe raste të krijuara, por vetëm dy nga të gjitha rastet u konkretizuan në gola.

Qytetarët kaluan në epërsi vetëm pas një çerek ore lojë, ku Rodri i dha një top Phil Fodenit, i cili bëri disa kalime të shkëlqyeshme për ta përfunduar aksionin me një gol të bukur për rezultatin 1:0.

Pjesa e parë nuk pati më gola dhe nuk dhuroi diçka për t’u veçuar në minutat në vazhdim.

Në pjesën e dytë, Manchester City shënoi edhe një herë për të dyfishuar rezultatin dhe për të pasur një siguri më të madhe në rezultat.

Kësaj radhe golashënues ishte Bernardo Silva, ndërsa në rolin e asistuesit ishte Erling Haaland, për rezultatin përfundimtar 2:0.

Me këtë fitore, City vazhdon të mbetët në pozitë të dytë, por tani me dy pikë më pak se lideri, Arsenali që ndeshjen do ta zhvillojë më vonë gjatë pasdites, ndërsa Newcastle humbi mundësinë t’i afrohet Tottenhamit të vendit të katërt, dhe do të vazhdojë të mbetët në pozitë të pestë.

Lajme të ngjashme