Manchester City bindës në udhëtim ndaj Southamptonit, vazhdon ndjekjen e kreut të tabelës
Manchester City ka vazhduar me fitore në Premierligë, tani duke mposhtur Southamptonin me rezultat 4:1, kështu duke çuar diferencën në -5 nga Arsenali që është lider në renditje tabelore.
Qytetarët erdhën nga një fitore e madhe në fundjavën e kaluar ku demoluan Liverpoolin po me të njëjtin rezultat.
Skuadra e Pep Guardiolës ishte dominuese gjatë tërë takimit, me pjesën e parë që shënuan një gol dhe tre të tjerë në pjesë të dytë.
Erling Haaland u kthye nga lëndimi që e mbajti jashtë në ndeshjen ndaj Liverpoolit dhe bëri rikthimin e tij në fushë me dy gola.
Fillimisht ai shënoi për epërsinë 1:0 krejt në fund të pjesës së parë.
Ndërsa me të filluar pjesa e dytë për 2:0 shënoi Jack Grealish.
Haaland shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 68-të dhe menjëherë u zëvendësua për t’i lënë vend Julian Alvarez.
Krejt çka vendasit bënë në këtë takim ishte goli ngushëllues i minutës së 72-të i shënuar nga Sekou Mara.
Ishte po argjentinasi ai që shënoi golin e katërt për Manchester Cityn nga penalltia në minutën e 75-të për rezultatin përfundimtar të takimit 4:1, vetëm pak minuta pasi hyri në fushë në vend të Haaland.
