Luka Doncic mahnit me 73 pikë, barazohet me vendin e katërt për më së shumti pikë gjatë një ndeshje të NBA-së
Ylli i Dallas Mavericks, Luka Doncic, pati një natë për t'u kujtuar shumë gjatë, pasi ndezi atmosferën në State Farm Arena, ku shënoi 73 pikë, më së shumti në karrierën e tij, në një fitore të skuadrës së tij 148:143 ndaj Atlanta Hawks.
Ai shënoi pikët më të larta për këtë sezon në NBA, duke kaluar performancën me 70 pikë nga qendra e Philadelphia 76ers Joel Embiid të hënën kundër San Antonio Spurs. Ai gjithashtu barazoi Wilt Chamberlain dhe David Thompson për rezultatin e katërt më të lartë në historinë e NBA. Chamberlain, i cili zotëron rekordin e NBA me 100 pikë, pati gjithashtu një ndeshje prej 78 pikësh, ndërsa Kobe Bryant përfundoi me 81 pikë më 22 janar 2006.
“Ata emra janë të veçantë”, tha Doncic. “Është e pabesueshme”.
Mbrëmja e së premtes shënoi vetëm ndeshjen e 15-të të NBA-së me 70 pikë dhe Doncic është lojtari i 10-të që arrin ta bëjë një gjë të tillë.

Doncic, i cili ka mesatarisht 33.6 pikë, tha se paraqitja u rendit "ndoshta më e mira" në karrierën e tij, por shtoi se ai ishte i fokusuar vetëm në marrjen e fitores.
"Ne kemi qenë në probleme kohët e fundit," tha ai për Mavs, të cilët kishin humbur tre ndeshje herë radhazi para të premtes. "Mendësia ishte [të] fitonim. Ne luajtëm shkëlqyeshëm."
Nata epike e Doncic përfshiu 41 pikë në pjesën e parë, gjë që theu rekordin e legjendës Dirk Nowitzki për pikë në pjesën e parë. Ai arriti në kuotën e 57 pikëve deri në fund të çerekut të tretë, më pas nisi të katërtin me tetë pikë radhazi përpara se të përfundonte me 73.
Doncic shënoi 23 pikë në çerekun e dytë pasi filloi me 18 në të parën.
Ai gjuajti 25 nga 33, duke përfshirë 8 nga 13 për tre pikë dhe i konvertoi 15 nga 16 gjuajtjet e lira.