“Luftojmë deri në fund për titull” – Ramiz Bytyqi flet për formën e shkëlqyeshme të Prishtinës dhe paralajmëron Ballkanin - NACIONALE

“Luftojmë deri në fund për titull” – Ramiz Bytyqi flet për formën e shkëlqyeshme të Prishtinës dhe paralajmëron Ballkanin

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

FC Prishtina do të “luftojë” me të gjithë rivalët deri në fund për titull, derisa janë shumë të motivuar për fitoren e katërt radhazi, atë si mysafir i Ballkanit, kështu ka deklaruar mbrojtësi Ramiz Bytyqi në një intervistë për Gazetën Nacionale.

Që prej kalimit te Prishtina nga Ballkani gjatë afatit kalimtar veror, Bytyqi ka qenë një ndër lojtarët kyç te skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi.

Tekniku prishtinas e njeh mjaftë mirë mbrojtësin me të cilin ka punuar te “Xhebrailat” dhe ai është kthyer në një lojtar titullar të padiskutueshëm.

Në një intervistë së fundmi për Nacionalen, 23-vjeçari ka komentuar këtë edicion të Superligës së Kosovës, objektivat derisa paralajmëroi edhe Ballkanin për ndeshjen e radhës.

Fillimisht, mbrojtësi tregoi se secila fitore që po arrijnë është motiv shtesë dhe kanë punuar shumë për dy ndeshjet e fundit ndaj Dritës, respektivisht Llapit, ku arkëtuan gjashtë pikë.

Normalisht çdo fitore është motiv shtesë për ne, pavarësisht cilën skuadër e mposhtim. Çelësi i suksesit është puna e madhe e trajnerit Ismet Munishi dhe të gjithë bashkëlojtarëve”.

Pas fitores që arritëm kundër Ferizajit, motivi për ndeshjet e ardhshme veçse ishte rritur dhe duke u barazuar që Drita dhe Llapi janë ekipe të mëdha, ne jemi përkushtuar në maksimum në ushtrime dhe ndeshje”.

Bytyqi ishte i qartë pastaj për synimet e tij, duke thënë haptas se dëshiron që Prishtina të arrijë të gjitha qëllimet e veta.

Duke u bazuar që FC Prishtina ka rindërtuar një ekip po thuajse të ri nën urdhrat e Munishit, duke e njohur mirë se çka kërkon trajneri në sistemin e lojës së tij, e kam gjetur mjaftë mirë vetën dhe jam i lumtur për minutazhën. Synimet e mia janë që të vazhdoj të ndihmoj Prishtinën në arritjen e qëllimeve që kanë vendosur”.

FC Prishtina vazhdon ta ëndërrojë titullin kampion të Kosovës, për të cilën lojtarët do të luftojnë deri në fishkëllimen e fundit.

Besoj dhe jam shumë optimist që do të luftojmë deri ën fishkëllimen e fundit për titullin kampion, pjesa tjetër mbetet të shihet në fund të sezonit”.

Normalisht secila skuadër e ka objektiv titullin kampion, mirëpo rruga është e gjatë deri në fund dhe shpresojmë që të jemi në fillimin e tabelës, gjithashtu edhe në finale të Kupës së Kosovës”.

Për fund, Bytyqi nuk ngurroi të flet edhe për ndeshjen ndaj ish klubit, Ballkanit, ku do të kthehet në Suharekë me fanellën ‘bardhëkaltër’. Ai thotë se tani luan për një tjetër skuadër dhe është duke menduar nëse duhet të festojë në rast që gjen golin.

Në futboll lëvizjet janë normale, sot je aty, nesër nuk je. Këtë xhiro do të jetë ndeshja e parë që do ta luaj në stadiumin e Suharekës në fanellën e Prishtinës. Emocionet do të jenë të veçanta, mirëpo ky është futbolli dhe normalisht që do ta kërkojmë fitoren e katërt për t’u kthyer në kryeqytet me pikët e plota”.

Ballkanit i dëshiroj shumë suksese... Tani për tani jam duke menduar që në rast që shënoj a do të festoj?”, përfundoi Bytyqi për Nacionalen.

Sipas statistikave në “Transfermarkt” këtë edicion, Bytyqi është një ndër tre lojtarët e Prishtinës me më së shumti minuta në fushë nën urdhrat e Munishit.

Mbrojtësi i krahut të djathtë ka qenë në fushën e gjelbër për plot 540 minuta, kaq kanë edhe mesfushori Kushtrim Gashi dhe portieri Ardit Nika.

Me renditjen momentale, Prishtina renditët në pozitën e tretë në tabelë me 21 pikë të mbledhura, nëntë më pak se Drita, por kjo e fundit ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Lajme të ngjashme