Lorik Aliu për lëndimin që ia shoi ëndrrën: Pendohem vetëm për dy gjëra, anatominë e gjurit e kam mësuar përmendesh - NACIONALE

Lorik Aliu për lëndimin që ia shoi ëndrrën: Pendohem vetëm për dy gjëra, anatominë e gjurit e kam mësuar përmendesh

4 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Lorik Aliu mund të mos jetë një emër i njohur për shumë tifozë të rinj futbolli në Kosovë, por emri i tij ka mundur të përmendej në të njëjtën frymë sikur Marco Reus, Nuri Sahin apo Michael Zorc, sikur gjërat të shkonin ndryshe për kosovarin e cilësuar dikur si talenti më të ardhmen më të ndritur në vend.

Në adoleshencën e tij ai ishte futbollisti më talentin më të jashtëzakonshëm pas luftës. Për shumëkënd një fëmijë me aftësi çudibërëse, dukshëm lojtari më i mirë i gjeneratës.

Megjithatë, ai nuk qe asnjëherë në gjendje t’i shfaqë aftësitë e veta si futbollist në nivelin më të lartë për shkak të lëndimeve të rënda dhe gjashtë operimeve në gju, të cilat e detyruan t’i varë këpucët në gozhdë herët, madje shumë para se karriera e tij të merrte këmbë.

Duke shikuar mbrapa dhe menduar se çfarë ka mundur të ndodhte, Aliu pendohet vetëm për dy gjëra, por jo edhe për egon për t’u dalluar nga pjesa tjetër e futbollistëve dhe dëshirën për të luajtur.

“Vetëm dëshirën për të luajtur futboll dhe për ta treguar veten, sepse kam pasur ego për t’u dalluar nga futbollistët e tjerë, nuk do t’i ndryshoja”, thotë Aliu.

Në moshën 8-vjeçare, Aliu filloi të ushtrojë në shkollës e futbollit Besjana në Podujevë, para se të zhvendosej në Prishtinë për të jetuar me familje, ku talenti i tij i rrallë u vë në pah duke luajtur për të rinjtë e Prishtinës.

Ai ishte vetëm 15-vjeçar kur e nënshkroi marrëveshjen e parë profesionale me Prishtinën dhe tanimë kishte kaluar në futbollin e burrave. Ai u vëzhgua nga Dortmundi, pastaj klubet e tjera si Baseli, Luzerni, Standard Liege, Genti dhe Torino në Serie A.

Aliu, tani 26-vjeçar, do të bëhej lojtar i Dortmundit, tetë herë kampionit gjerman, që kishte shprehur gatishmëri të madhe për ta pasur në gjirin e vet, por çmimi i kërkuar nga Prishtina ishte tejet i lartë për t’u pranuar. Për këtë dështim, Aliu e fajëson presidentin e atëhershëm të bardhekaltërve, Remzi Ejupin.

“Në Dortmund i kam kaluar disa muaj në testime dhe kam kaluar shumë mirë. Unë kam marrë vlerësim maksimal nga trajnerët dhe skautët e këtij ekipi atje. Gjithçka ka qenë në rregull, por në fund dështoi për shkak të pazarit dhe mendoj se fajtor kryesor ishte presidenti i klubit të Prishtinës në atë kohë, Remzi Ejupi, i cili ka pas gisht në këtë”, kujton Aliu për gazetën Nacionale.

Të qenit pjesë e një klubi të madh si Dortmundi në moshën 17-vjeçare, një vit para se të ndodhte ajo që do të ishte fatale për karrierën e tij, lëndimi i rëndë i gjurit të djathtë, për Aliun do të kishte qenë një garanci për mirëqenie më të mirë dhe kujdes më të madh, diçka të mbase do t’ia kishte shpëtuar karrierën.

Ai ishte lënduar në një ndeshje miqësore për ekipin e të rinjve të Shqipërisë kundër Uzbekistanit në moshën 18-vjeçarë në vitin 2014. Ishte ai çast kur karriera e tij do të fillonte të pësonte ndryshim drastik.

“Telashet me lëndim filluan në moshën 18-vjeçare. Momenti fatal i lëndimit tim ishte një ndeshje miqësore me Kombëtaren e të rinjve të Shqipërisë, ku luaja unë në atë kohë, pasi Kosova nuk ishte pranuar në UEFA apo FIFA”, theksoi Aliu.

Aliu ndien se mbase më fatal se vetë lëndimi ishte operacioni i parë të cilin i ishte nënshtruar për ta mjekuar gjurin. Ai ishte detyruar ta bënte ndërhyrje mbi ndërhyrje për ta rregulluar dështimin e operacionit të parë.

Ndodhi në një kohë kur ai kishte hovin më të madh të zhvillimit si futbollist dhe nënkuptoi shumë hapa mbrapa në zhvillim, si pasojë.

“Operimi i parë nuk ka qenë i duhur dhe ai operim, me një fjalë, ma ka humbur hapin dhe është dashur t’i bëja disa operime të tjera për ta rregulluar gabimin e operimit të parë gjë që më kushtoi në kohë. Në atë periudhë unë isha në një kohë tranzicioni dhe më duhej të luaja gjithsesi dhe mos të mendoja për lëndimin, por ka qenë e pamundur sepse gjuri im nuk ishte në rregull”, këmbëngul Aliu për Nacionalen.

Pesë operimet e tjera pasuese në gju po ashtu nënkuptuan një fillim i ri nga pika zero për Aliun, i cili ka vetëm dy pendesa kur e kthen kohën mbrapa dhe mendon për karrierën e vet.

Ai tentoi për herë të fundit në vitin 2019 kur iu bashkua Llapit në një marrëveshje dyvjeçare, por nuk ishte e shkruar për të. Përfundimisht, Aliu dha lajmin për pensionimin e parakohshëm dhe të detyrueshëm në moshën 24-vjeçare në vitin 2020.

“Nëse kthehem pas dhe nëse mund të ndryshoja diçka për t’i parandaluar lëndimet, nuk do të isha pjesë e ekipit të parë në moshën 15-vjeçare sepse kishim shumë stërvitje, ndoshta ka qenë e papërballueshme për mua t’i bëja ballë të gjitha atyre stërvitjeve parasezonale dhe gjatë sezonit, sepse unë kam pasur telashe me muskuj. Ndoshta lëndimin e parë (nuk do ta bëja). Lëndimi është fat, nuk mund ta dish kur mund të lëndohesh. Unë jam operuar gjashtë herë dhe e kam mësuar anatominë e gjurit pa pasur nevojë ta mësoj në shkollë. Operimin e parë duhej ta kisha bërë në një mënyrë tjetër dhe të një doktor tjetër. Këto dy gjëra do t’i ndryshoja do të kthehesha në kohë”, Aliu i tregoi Nacionales për pendesat e tij.

26-vjeçari e ka gjetur një rol të ri në futboll tani, jo si lojtar aktiv, por si skaut për vëzhgimin dhe zbulimin e talentëve të rinj, dhe nuk dëshiron të mendojë shumë për atë se çfarë ka mundur të ndodhte me karrierën e tij sikur lëndimet nuk do të shfaqeshin.

“Është shumë e vështirë por ajo kohë ka kaluar dhe mundohem të mos kthehem më mbrapa se nuk është shumë e vështirë dhe nuk kam dëshirë t’i përjetoj ato momente përsëri”, nënvizoi ai.

“Unë jam skaut i cili i vëzhgon futbollistët e rinj dhe për këtë më duhet ta falënderoj Altin Lalën i cili ma ka mundësuar të punoj në futboll, jo si futbollist aktiv por në një rol tjetër. Kosova ka shumë talentë të cilët kanë potencial për të luajtur në ligat më të forta botërore, ne si agjenci i kemi piketuar disa futbollistë qysh herët dhe tash janë vazhdimisht nën përcjelljen tonë, të cilëve pritet t’iu jepet rasti ta dëshmojnë veten në liga shumë të forta. Por duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë.”

Lajme të ngjashme