“Lojtarët kanë kontrata” - Kur Agim Ademi bënte analizë qesharake për kualifikimin e Kosovës në Euro - NACIONALE

“Lojtarët kanë kontrata” - Kur Agim Ademi bënte analizë qesharake për kualifikimin e Kosovës në Euro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Fushata e kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, “Me Kosovën në Evropian” për kualifikimin e Kombëtares në Kampionatin Evropian 2024 mori një goditje të rëndë dhe të pariparueshme të hënën.

Kosova pësoi disfatë turpëruese 2:1 nga Bjellorusia në Budapest, e cila nënkupton se gjasat për kualifikim në turneun e verës së ardhshme në Gjermani janë praktikisht të shuara tashmë.

Duke folur në një takim me veteranët e futbollit të Kosovës, Ademi kishte bërë një analizë të çuditshme të gjasave të Kosovës për t’u kualifikuar për herë të parë në një turne të madh futbolli.

Ai përmend në video kontratat e lojtarëve me klubet e tyre përkatëse si njërin prej arsyeve që mund të ndikojnë në kualifikimin e Kosovës në Euro 2024.

“Një faktor tjetër i rëndësishëm kur e kemi bërë analizën është se të gjithë futbollistëve tanë, asnjërit nuk i përfundon kontrata në 2023-tën ose 24-tën. Do të thotë është pjesë që e mundon psiqikisht por edhe ekonomikisht. Të gjithë i kanë kontratat deri në vitin 2025 dhe ekonomikisht, psiqikisht janë të qetë. Fizikisht janë mirë. Një grup korrekt e kemi”, thotë Ademi në një video para se Kosova ta niste fushatën kualifikuese në fillim të këtij viti.

Ademi, 61 vjeç, nuk ka bërë asnjë plan strategjik apo përgatitje të duhura që do të mundë të ndikonin në rezultate pozitive të ekipit kombëtar.

Trajneri të cilin e emëroi Ademi, Alain Giresse, vinte me përvojë nga futbolli afrikan dhe ai kalon shumë pak kohë në Kosovën, vetëm gjatë grumbullit pakditorë të ekipit kombëtar.

Përzgjedhja e lojtarëve dhe taktikave nga trajneri francez ka lënë shumë njerëz gojëhapur dhe këtë e kanë dëshmuar edhe rezultatet e tij.

Kosova barazoi në tri ndeshjet e para, me Izraelin, Andorrën dhe Rumaninë, para se të humbte kundër Bjellorusisë, ekipit kombëtar që nuk kishte fituar për më shumë se një vit.

Dardanët kanë rënë në vendin e parafundit në Grupin I kualifikues, me vetëm tri pikë, duke ngelur shtatë pikë larg lideres Zvicra, pesë pikë larg Rumanisë dhe katër pikë larg Izraelit.

Vetëm dy ekipet e para në grup shkojnë në Euro 2024.

Lajme të ngjashme