Kosova pëson humbje nga Bjellorusia, kualifikimi pothuajse mision i pamundur
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në udhëtim te Bjellorusia në një stadium neutral në Hungari.
“Dardanët” dominuan shumicën e kohës, por që pas disa gabime u ndëshkuan duke u mposhtur me rezultat 2:1.
Kosova e nisi në mënyrë fantastike duke krijuar aksione të njëpasnjëshme, por që u mungonte goli.
Bersant Celina, Florent Muslija dhe Donat Rrudhani patën nga një mundësi shënimi mirëpo nuk i finalizuan.
Në pjesën e dytë, Kosova prapë e nisi më mirë duke tentuar me disa aksione të shpejta, por prapë iu mungoi finalizimi. Muslija ishte tejet afër me një goditje fantastike mirëpo portieri bjellorus arriti ta devijojë.
Kur askush nuk e priste, i inkuadruari Hekuran Kryeziu bëri një gabim amator në mbrojtje duke e asistuar Vladislav Morozov, i cili e kishte të lehtë të shënonte përballë Muricit (73’).
Vetëm dy minuta më vonë, Bjellorusia përfitoi nga një rënie e mbrojtjes dardane me Max Ebong që shënoi një gol të bukur për ta vulosur çështjen e fituesit (75’).
E tëra që arriti të bëjë Kosova ishte goli i nderit i shënuar nga qendërsulmuesi Vedat Muriqi, i cili realizoi nga pika e bardhë pas një penalltie që e fitoi (87’).
Pas kësaj humbje, duket që gjasat e Kosovës veçse vazhdojnë të bien duke qenë se tani renditemi në pozitën e pestë në tabelë me tre pikë.
Në anën tjetër, Izraeli tani ka shtatë pikë, Rumania tetë dhe Zvicra mbetet lider me 10 sosh.