Llapi mposhtet në shtëpi nga Malisheva, Prishtina fiton me rezultat komod ndaj Ferizajt - NACIONALE

Llapi mposhtet në shtëpi nga Malisheva, Prishtina fiton me rezultat komod ndaj Ferizajt

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës, aty ku Llapi ka pësuar humbje në shtëpinë e saj ndaj Malishevës me rezultat 1:0, ndërsa Prishtina në udhëtim ka fituar ndaj Ferizajt 3:1.

Llapi i Tahir Batatinës nuk di për fitore në Zahir Pajaziti në sezonin e ri, pasi barazoi në xhiron e parë, e tani ka pësuar humbje në xhiron e tretë.

Malisheva që udhëtoi në Podujevë, e fitoi takimin, ndonëse luajti për 45 minuta me një lojtar më pak në fushë.

Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, me vetëm kartonin e kuq të Robert Ndiji që vlen të ceket në minutat shtesë të pjesës së parë.

Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 55-të nga Fatjon Bunjaku, i asistuar nga Arbër Pira.

Drilon Hazrollaj i Malishevës rrezikoi për të dyfishuar epërsinë, por gjuajtjen e tij e ndali Ilir Avdyli.

Rast të mirë për Llapin për të barazuar rezultatin pati Ahmed Janusi, por që portieri mysafir ishte në vend.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar, me Malishevën që iu gëzua fitores së parë në Superligë këtë sezon.

Në anën tjetër, Prishtina shënoi fitore ndaj Ferizajt me rezultat 3:1.

Vetëm pesë minuta mjaftuan për Sunday Akinbule, për të kaluar kryeqytetasit në epërsi, teksa po i njëjti e dyfishoi rezultatin në minutën e 21-të, kur u asistua nga Dion Gallapeni.

Planet Veseli e ngushtoi rezultatin në minutën e 63-të, por Prishtina e riktheu epërsinë prej dy golave me anë të Ardian Mujës në minutën e 78-të.

Me rezultatin 3:1, Prishtina mori tre pikët e para në këtë sezon, teksa Ferizaj mbetet në kuotën e katër pikëve nga dy xhirot e para.

Lajme të ngjashme