Liverpooli i bën nderë Arsenalit, e ndal me barazim Manchester Cityn në Etihad Stadium
Një nga ndeshjet më interesante të javës është zhvilluar në Etihad Stadium, mes Manchester Cityt e Liverpoolit, ku përballja u mbyll me barazim 1:1, me rezultatin që shkon në favor të Arsenalit dhe Tottenham Hotspur.
Qytetarët po vinin nga një barazim 4:4 me Chelsean pak para pushimit ndërkombëtar, ndërsa Liverpooli në anën tjetër kishte shënuar fitore 3:0 ndaj Brentford.
Pjesa e parë e ndeshjes së sotme i takoi krejtësisht Manchester Cityt, ku krijuan disa raste të rrezikshme shënimi dhe e patën posedimin e topit në favor të tyre.
Fal rasteve të shumta, erdhi edhe goli i epërsisë. Ishte Erling Haaland, që pranoi një top nga Nathan Ake në minutën e 27-të, për të shënuar për 1:0, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.
45 minutat e dyta për nga rastet e mira i takoi Liverpoolit, ndërsa topin vazhdoi ta kishte në posedim Manchester City.
Një gol i skuadrës së Pep Guardiolës u anulua në fushë nga gjyqtari për ndërhyrje në portierin Alisson, që më pas e konfirmoi dhe VAR, ndërsa si kundërpërgjigje erdhi goli i barazimit.
Ishte Trent Alexander-Arnold që gjeti golin e barazimit për 1:1 me një goditje të bukur nga jashtë zonës së rrezikshme, me Mohamed Salah që ishte asistues.
Me këtë rezultat përfundoi takimi. Barazimi 1:1 mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit i konvenoi më së shumti Arsenalit dhe Tottenhamit, që janë në ndjekje, me Topçinjtë që me fitore mund ta rrëmbejnë vendin e parë në elitën angleze.

