Liverpool i falët dy autogolave të Leicester, mbyll vitin me fitore - NACIONALE

Liverpool i falët dy autogolave të Leicester, mbyll vitin me fitore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool ka mbyllur vitin kalendarik 2022 me fitore, duke mposhtur 2:1 Leicesterin në “Anfield”. Dy autogola të shënuar nga mysafirët ishin përcaktues në fitoren e ekipit të udhëhequr nga Jurgen Klopp.

“Të Kuqtë” e kanë shijuar fitoren e dytë rresht pas rikthimit nga pauza e Kupës së Botës. Gjërat nuk nisën në mënyrën më të mirë të mundshme për vendësit.

Shumë shpejt mysafirët gjetën golin e epërsisë. Ishte Dewsbury-Hall ai që shënoi në minutën e 4-të, duke e finalizuar për mrekulli asistin e sulmuesit Daka.

Liverpool u duk shumë i lexueshëm në gjysmë orën e parë të lojës. Mirëpo, skenari i ndeshjes filloi të ndryshojë në fund të pjesës së parë.

Në minutën e 38-të nga Faes futi topin në rrjetë në portën e tij në formë të çuditshme, duke mundësuar barazimin e rezultatit në 1:1

Makthi për qendërmbrojtësin e Leicester vijoi. Ai shtatë minuta më vonë sërish ishte protagonist i një autogoli tjetër qesharak, duke bërë kështu që Liverpoolit ta përmbyste rezultatin pak çaste para se të mbyllej pjesa e parë e ndeshjes.

Në pjesën e dytë Liverpool ishte akoma më mbizotërues sa i përket rasteve për shënim, por nuk ia doli që si skuadër të ishte konkrete para portës kundërshtare.

Përkundër aksioneve të shumta që u ndërtuan nga të dy anët, asnjë gol shtesë nuk u arrit në pjesë të dytë. Nikoqirët ia dolën që ta ruajnë kapitalin prej një goli epërsi, duke regjistruar kështu fitoren e radhës në Premierligë.

Pas këtyre tre pikëve të arkëtuara, Liverpool zë vendin e 6-të tabelor me 28 pikë të tubuara. Për momentin distanca me pozitën e katërt, gjegjësisht Tottenhamin, është vetëm dy pikë.

Ndërkaq për Leicesterin kjo ishte humbja e dytë rresht. Leicesteri renditën në pozitën e 13-të tabelore me 17 pikë të grumbulluara.

Lajme të ngjashme