Liverpool apelon kartonin e kuq të Mac Allister
Liverpool ka apeluar vendimin për kartonin e kuq të mesfushorit Alexis Mac Allister gjatë fitores 3:1 ndaj Bournemouthit të shtunën.
Argjentinasi mori direkt karton të kuq shkaku i një ndërhyrje te Ryan Christie, sfidë ku skuadra e Jurgen Klopp shijoi fitoren e parë të sezonit.
VAR-i rishikoi këtë vendim, por nuk reagoi duke e mbështetur vendimin e gjyqtarit Thomas Bramall.
Kartoni i kuq nënkupton se Mac Allister do të mungojë për tre ndeshje, pra kundër Newcastle Unitedit, Aston Villas dhe Wolvesit.
Sidoqoftë, Liverpool ka apeluar vendimin te Federata e Anglisë nën kategorinë “vendim i gabuar”.
Kur u pyet për këtë vendim, Klopp pas ndeshjes kishte thënë: “Është e rëndë, nuk duhej të ishte karton i kuq”.
“Ishte gabim dhe dënimi që të luanim 40 minuta me 10 lojtarë është tashmë dënim i mjaftueshëm. Duhet të flasim me autoritetet”.
“Kishte kontakt, por në lojë gjatë tërë kohës ka kontakt. Nëse do të merrte karton të verdhë, askush nuk do të thoshte “ndoshta duhet ta shikosh në mënyrë tjetër”.
“E pyeta Maccan dhe ai tha që e preku, por jo në të vërtetë”, kishte deklaruar ai.
Liverpool këtë edicion ka katër pikë në Premierligë, pas barazimit me Chelsean dhe fitores ndaj Bournemouthit.
