Liverpooli me përmbysje fiton ndaj Bournemouth, Brightoni e mposht edhe Wolvesin me rezultat të thellë - NACIONALE

Liverpooli me përmbysje fiton ndaj Bournemouth, Brightoni e mposht edhe Wolvesin me rezultat të thellë

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Liverpooli e ka gjetur fitoren e parë në këtë sezon të Premierligës, duke fituar me përmbysje 3:1 ndaj Bournemouth, në anën tjetër Brighton ka vazhduar me paraqitje të mirë, duke mposhtur me rezultat të thellë 4:1 Wolverhampton.

Pas barazimit që të kuqtë morën në javën e parë në udhëtim te Chelsea, skuadra e Jurgen Klopp ka reaguar duke marrë fitore të pastër në shtëpi, ndonëse ishte në disavantazh vetëm pas tre minutave të para.

Liverpool – Bournemouth

Liverpooli nuk e nisi në mënyrën më të mirë takimin e sotëm në shtëpi, pasi vetëm pas tre minutave, Semenyo i Bournemouth shënoi për ta kaluar skuadrën e tij në epërsi.

‘The Reds’ filluan ta marrin kontrollin e lojës më pastaj në kërkim për t’u kthyer në ndeshje, me golin e barazimit që erdhi vetëm në minutën e 28-të kur Luis Diaz shënoi gol fantastik në mënyrë akrobatike për 1:1.

Përmbysja e rezultatit ndodhi gjatë pjesës së parë. Ishte Dominik Szoboszlai që fitoi një penallti, me Mohamed Salah që mori përgjegjësinë për ta goditur atë në minutën e 36-të. Neto e priti penalltinë, por nga topi i kthyer Salah e gjeti golin për 2:1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, skuadra e Jurgen Klopp mbeti me një lojtar më pak, kur mesfushori i ardhur këtë verë, Alexis MacAllister mori karton të kuq direkt në minutën e 58-të.

Kjo nuk ndikoi shumë në lojën e të kuqve, pasi ata shënuan edhe golin e sigurisë, kur Szoboszlai goditi nga distanca e Neto nuk reagoi mirë, me topin e kthyer te Jota që shënoi për 3:1 në minutën e 62-të.

Me rezultatin 3:1 përfundoi takimi dhe Liverpooli tani pas dy ndeshje ka katër pikë të grumbulluara, ndërsa Bournemouth mbetet me një pikë që e mori në javën e parë.

Wolves – Brighton

Brightoni ka vazhduar të impresionojë. Pasi fituan ndeshjen e parë me rezultat 4:1, skuadra e Francesco De Zerbit edhe sot fitoi me të njëjtin rezultat ndaj Wolverhampton.

Kaoru Mitoma gjeti golin vetëm pas 15 minutave lojë për ta çuar skuadrën në epërsi 1:0, me asistin e Estupinian, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Kjo dyshe kontribuoi edhe në golin e dytë që u shënua me të nisur pjesa e dytë e takimit. Kësaj radhe në cilësinë e golashënuesit ishte mbrojtësi Estupinian, ndërsa asistuesi Mitoma, për rezultatin 2:0.

Brighton vazhdoi me paraqitje fantastike, duke shënuar edhe dy gola të shpejtë. Solly March shënoi të dy golat, fillimisht në minutën e 51-të për 3:0, ndërsa në të 55-tën për 4:0, në të dy rastet u asistua nga Julio Enciso.

Krejt çfarë vendasit arritën të bënin në këtë ndeshje ishte goli i shënuar nga Hee-chan për 4:1 në minutën e 61-të, që ishte rezultati përfundimtar i takimit.

Brighton do ta mbajë vendin e parë momentalisht në Premierligë, me dy fitore, ku ka realizuar tetë gola dhe ka pranuar vetëm dy, ndërsa Wolves ka humbur dy takimet e para.

Lajme të ngjashme