Liria e Prizrenit ankohet për referim pas humbjes nga Dukagjini
Liria e Prizrenit ka pasur ankesa drejt gjyqtarit Vigan Ibërdemaj pas humbjes së pësuar në udhëtim te Dukagjini.
Skuadra e drejtuar nga Dallku shënoi golin e fitores në minutat e fundit shtesë (90+13’), për t’i arkëtuar pikët e plota.
Megjithatë, Liria e Prizrenit pretendon se atyre iu janë bërë disa padrejtësi përfshirë edhe ripërsëritjen e penalltisë “derisa Dukagjini shënoi gol”.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Referim skandaloz në Klinë.
Vigan Ibërdemaj regjisor i fitores.
Ndeshja e zhvilluar në Klinë, mezi gjeti fundin.
Ndonëse, loja u zhvillua në presion, sidomos nga gjyqtari Ibërdemaj dhe , ajo pati përfundim absurd.
Zgjatja pa nevoj e ndeshjes, kur në min. 99 u akordua penallti e cila u perserit derisa Dukagjini shënoi gol.
Kjo çfarë ndodhi në Klinë i qoftë per turp Viganit dhe shokëve të tij.
Ne, na u vidh pika që e merituam, e në bazë të rasteve merituam edhe më shumë.
Ftojmë organet e FFK-së që të marrin masa ndaj këtyre 'gjyqtarëve', sepse kështu s’kan çka kerkojnë në Prizren.
Ne, nuk do të dorëzohemi.
Do të luftojmë ndershëm deri në fund”, shkroi Liria.
Ndërkohë, klubi nga Prizreni është drejt rënies në Ligën e Parë duke u renditur në pozitën e fundit në tabelë.