Liga e Konferencës: Ballkani përballet me Shkupin ose Shamrock Rovers në play-off nëse e kalon Klaksvikun
Kampioni i Kosovës në sezonin që kaloi, Ballkani do të përballet me humbësin nga ndeshja Shamrock Rovers – Shkupi, nëse arrin që të kalojë Klaksvikun në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Sot është tërhequr shorti për Ligën e Konferencës, në Nyon të Zvicrës, ku si prioritet në short kishin skuadrat kampione të ligave përkatëse.
Skuadrat kampione të cilat janë eliminuar në raundin e parë të Ligës së Kampionëve dhe kanë kaluar me sukses në raundin e tretë te Ligës së Konferencës, do të përballen me humbësit nga raundi i tretë i kualifikimeve të Ligës së Evropës.
Kampioni i Kosovës deri në raundin e tretë arriti, pasi që ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve u mposht nga Zalgiris Vilinus, teksa kaloi direkt në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, ku përballë kishte kampionin e San Marinos, La Fioritan, të cilën e dërrmoi në të dy ndeshjet me rezultat të përgjithshëm 10:0.
Tani suharekasit përballë kanë skuadrën nga Ishujt Faroje, Klaksvik, ku ndeshjen e parë e zhvillojnë këtë të enjte në stadiumin Fadil Vokrri.
Klaksvik ka pasur një formë të mirë kohët e fundit, ku ishte treguar mjaftë e fortë në ndeshjen e raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, ndaj Bodo/Glimt, por që me rezultat të përgjithshëm humbi 4:3, dhe si rrjedhojë njëjtë si Ballkani, kaloi direkt në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Në raundin e dytë të Ligës së Konferencës kishte Sutjeskan, kampionin e Malit të Zi në sezonin që kaloi.
Pas dy ndeshjeve, Klaksvik kaloi tutje me vetëm një gol, pra rezultat të përgjithshëm 1:0.
Tani dy ndeshjet që zhvillohen mes Ballkanit dhe Klaksvik do të prodhojnë një skuadër fituese e cila në play-off do të luaj me humbësin nga raundi i tretë i Ligës së Evropës, Shamrock Rovers – Shkupi.
Vlen të cekët se bastet ndërkombëtare për ndeshjen e Ballkanit me Klaksvik që zhvillohet të enjten, kanë vendosur skuadrën kosovare, me kuotë 1.95, ndërsa mysafirët kanë kuotë 3.40, ndërsa një barazim i mundshëm ka kuotë 3.50.
Ndeshja kthyese dhe vendimtare për fatin e kampionëve të Kosovës më 11 gusht në Ishujt Faroje.
Kjo është edhe mundësia e fundit për t’u paraqitur në grupet e ndonjërës prej garave evropiane për këtë sezon, pasi më parë shpërdoroi shansin nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

