Liga e Kombeve: Kosova e pret sot Qipron me synim për ta shpëtuar një fushatë tashmë dëshpëruese - NACIONALE

Liga e Kombeve: Kosova e pret sot Qipron me synim për ta shpëtuar një fushatë tashmë dëshpëruese

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosova do të përballet sot me Qipron në ndeshjen e fundit të fushatës së saj në Ligën e Kombeve, duke rrezikuar të bjerë një kategorinë e fundit nëse gjërat nuk shkojnë në të mirë të saj.

Kombëtarja e Kosovës është e dyta në Grupin 2 të Ligës C, me vetëm një pikë më shumë se Irlanda Veriore dhe Qipro në dy pozitat e fundit.

Dhe jo vetëm që s’e fitoi grupin por tani rrezikon të përfundojë e fundit.

Pasi dështoi të luftojë më Greqinë për ta fituar grupin – gjë që do t’ia siguronte një vend në play-off për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2024 – Kosova ia koklaviti vetes gjërat në dy ndeshjet e fundit duke rrezikuar të bjerë në Ligën D, të fundit për kah cilësua në futbollin evropian.

Nëse Kosova pëson disfatë dhe Irlanda Veriore e mund Greqinë – e cila e ka fituar grupin tashmë – barazon apo madje edhe nëse humb me më pak gola të pranuara se dardanët, atëherë Kosova do të bjerë në kategorinë e fundit.

Trajneri Alain Giresse – për të cilin kjo ishte fushata e parë në krye të Kosovës – këmbënguli në konferencë për media se verdhekaltrit mund ta mposhtë Qipron në Fadil Vokrri sonte në orën 20:45.

“Nesër kemi ndeshjen e radhës. Synimi ynë është fitorja. Synimi im është të përparojmë dhe të ngrihemi në nivel tjetër, por edhe të sjellim lojtarë të rinj. Kur e përgatisim një ndeshje, e përgatisim për ta fituar, sepse askush nuk dëshiron humbje. A po mendoni që shumë trajnerë i përgatisin dorëheqjet e tyre? Fillimisht asnjë trajner nuk mendon ta humbë ndeshjen”, tha Giresse të hënën në konferencë për media.

Kosova e mundi Qipron 2:0 në përballjen e parë në grup qershor dhe Irlandën Veriore në shtëpi, të cilat janë dy fitoret e vetme në pesë ndeshje.

Dy disfatat në përballje me Greqinë dhe sidomos humbja kundër Irlandës Veriore në Belfast të shtunën, pavarësisht se po e fitonte ndeshjen deri në dhjetë minutat e fundit, e kanë bërë vërtet zhgënjyese fushatën e tretë të Kosovës në Ligën e Kombeve.

Kjo fushatë e Ligës së Kombeve është parë edhe si mundësi shumë e mirë për trajnerin Giresse ta ndërtojë një ekip për kualifikime për Euro 2024 që nisin në mars të vitit të ardhshëm, por ai ka treguar pak shenja pozitive.

Lajme të ngjashme