Liga e Kampionëve: Gjithçka e hapur për ndeshjen e kthimit, Interi e mposht Atletico Madridin, Dortmund barazon me PSV-në
Kanë përfunduar dy takimet e sotme të 1/8 së finales në kuadër të Ligës së Kampionëve, ku Interi ka fituar me rezultat minimal 1:0 ndaj Atletico Madridit, ndërsa PSV ka barazuar 1:1 me Borussia Dortmund.
Skuadra e Simone Inzaghit e dominoi pothuajse tërësisht takimin e sotëm në San Siro, duke pasur shumë raste të mira shënimi, por që disa herë intervenoi Oblak, e disa herë goditjet nuk ishin aq precize nga ana e lojtarëve zikaltër.
Në anën tjetër Atletico Madrid dështoi të gjuante një goditje të vetme në drejtim të portës së Yann Sommer.
Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, ndonëse Lautaro Martinez kishte shansin e artë ta çonte skuadrën në epërsi.
Edhe në pjesën e dytë sulmet e Interit nuk kishin të ndalur, me Marko Arnautovic që doli në rast shënimi disa herë.
I vetmi gol i shënuar në këtë takim erdhi në minutën e 79-të, kur pas një gabimi Interi përfitoi me Lautaron që mori topin dhe në vrapim e sipër goditi, por që Oblak e ndali dhe nga topi i kthyer Arnautovic e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.
🇪🇺 Goal: Arnautovic | Inter 1-0 Atletico Madridpic.twitter.com/6TxncmhrmT
— FootColic ⚽️ (@FootColic) February 20, 2024
Deri në fund, raste pati por gola të shënuar jo dhe Interi me epërsi prej 1:0 do të shkojë në ndeshjen e kthimit në Metropolitana më 13 mars.
PSV - Dortmund
Përballja tjetër e mbrëmjes u zhvillua në Holandë, ku PSV e priti Dortmundin.
Për dallim nga ndeshja tjetër, në këtë sfidë u zhvillua futboll më i barabartë, me të dy skuadrat që patën rastet e tyre të shënimit, ku në fund u ndanë në paqe me barazim 1:1.
Ishte Donyell Malen që shënoi golin e parë të takimit në minutën e 24-të, rezultat me të cilin Dortumundi shijoi epërsinë deri në pjesën e dytë.
Vetëm 11 minuta pasi filloi pjesa e dytë u shkaktua penallti nga skuadra gjermane dhe De Jong mori përgjegjësinë për të goditur, i cili realizoi për të barazuar rezultatin në 1:1.
Deri në fund rezultati nuk ndryshoi, me Dortmundin që ndeshjen e kthimit më 13 mars e zhvillon në shtëpi.