Lewandowski pak para “El Clasicos”: E dimë si ta mposhtim Real Madridin
Sulmuesi i Barcelonës Robert Lewandowski thotë se kanë analizuar të gjithë gabimet e Real Madridit, andaj e dinë formulën se si t’i arkëtojnë pikët e plota në “Santiago Bernabeu”.
E tërë vëmendja të dielën do të jetë në Spanjë, ku Reali është nikoqir i Barcelonës me fillim nga ora 21:00.
Optimizmi është tek dy palët, me polakun që për “Mundo Deportivo” ka deklaruar se mund ta mposhtin skuadrën madrilene dhe që fitorja e fundit e tyre ndaj Manchester Cityt mund të ndikojë që të mos kenë mentalitetin e duhur.
“E dimë se si ta mposhtim Real Madridin. I njohim dhe kemi analizuar gabimet që kemi bërë kur u takuam për herë të fundit”.
“E dimë se nëse i minimalizojmë gabimet atëherë mund t’i mposhtim në Santiago Bernabeu. Euforia për kualifikimin ndaj Manchester Cityt mund ta bëjë Real Madridin pa mentalitet në Clasico”.
Ndër të tjera, Lewa komentoi edhe incidentin mes Ronald Araujos dhe Ilkay Gundogan, duke deklaruar se tani gjithçka është në rregull.
“E kam mendimin që medieve iu intereson kjo situatë më shumë se neve. Nuk pashë asgjë të gabuar te deklarata e Ilkay, nuk ishte sulm personal për ndonjë person. Jemi burra. Nëse ka diçka atëherë shpjegohet, por për momentin s’ka probleme në dhomën e zhveshjes”.
Përndryshe, Barcelona është tetë pikë prapa Realit në La Liga dhe me një fitore do të zbriste në pesë pikë, për ta bërë më interesante pjesën e mbetur të sezonit.