Lewandowski i pandalshëm, udhëheq Barcelonën në fitoren e radhës kundër Elches - NACIONALE

Lewandowski i pandalshëm, udhëheq Barcelonën në fitoren e radhës kundër Elches

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Robert Lewandowski shënoi dy gola tjera sot për Barcelonën, në fitoren që katalonasit e arritën me rezultat 3:0 kundër Elches.

Barcelona po kalon në një formë të mirë. Edhe pse pësoi disfatë gjatë mesjavës në Ligën e Kampionëve kundër Bayernit, prapë nuk është se nuk la gjurmë. Madje, pati mundësi të arta që shpërdoroi në pjesë të parë.

Gjithsesi, për ta konfirmuar se sezoni i sivjem nuk është rastësi se ka nisur në këtë formë, ishte dëshmi edhe fitorja e sotme, të cilën Barcelona asnjëherë nuk e vuri në mëdyshje.

Këto tre pikë i mundësojnë skuadrës së Xavit që të dalë përkohësisht në pozitën e parë në renditjen tabelare, në pritje të ndeshjes që do ta zhvillojë Real Madridi gjatë ditës së nesërme ndaj Atletico Madridit, në derbin e zjarrtë që do të zhvillohet në “Metropolitano”.

Raporti i ndeshjes Barcelona 3:0 Elche

Barcelona e nisi ndeshjen me trinomin sulmues Dembele, Depay dhe Lewandowksi. Fillimi i ndeshjes me faza ishte i ngathtë, ku vërehej paksa edhe lodhja nga angazhimi i fundit që “blaugranët” kanë pasur në Ligën e Kampionëve.

Për t’ia lehtësuar punët skuadrës vendëse, ishte kartoni i kuq që mori Verdu në minutën e 14-të të ndeshjes. Nga ai moment Elche mbeti me një lojtar më pak.

Superioritetin numerik në fushë Barcelona filloi që ta shfrytëzojë. Kësisoj, skuadra kaloi në epërsi në minutën e 34-të me Lewandowskin, i cili finalizoi për mrekulli asistin e dhënë nga Balde.

Pas shtatë minutave lojë, ishte sërish Balde ai që gjeti një hapësirë të lirë. Kësaj radhe shërbeu për Depayn. Sulmuesi holandez shënoi për 2:0 me një lëvizje të përkryer në brendi të zonës.

Pas pauzës 15-minutëshe në përfundim të pjesës së parë, Barcelona shpejt gjeti edhe golin e radhës. Sërish ishte Robert Lewandowksi që tundi rrjetën e kundërshtarit, duke shkuar kështu në shifrën e 8 golave të shënuar në kampionat dhe njëherazi duke çuar rezultatin e ndeshjes në 3:0.

Pas këtij goli, Barcelona bëri katër zëvendësime në fushë, duke e mundësuar një lloj gjenerimi, për të mos rrezikuar lodhje të mëtejm e as shpenzim të energjive padobi.

Kësisoj, me rezultat të pastër e bindës Barcelona fitoi me rezultat 3:0 kundër Elches, duke ia thelluar kësaj të fundi krizën, meqë renditet në pozitën e fundit me vetëm 1 pikë të grumbulluar.

Për Barcelonën gjërat kanë shkuar sipas parashikimeve në këto javë të para të kampionatit, duke e portretizuar veten që tani si një rival i denjë i Real Madridit për këtë sezon të ri në La Liga.

Lajme të ngjashme