Bayern gjunjëzon Barcelonën, Liverpool me vështirësi të madhe mposht Ajaxin - NACIONALE

Bayern gjunjëzon Barcelonën, Liverpool me vështirësi të madhe mposht Ajaxin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Bayern ka shënuar një fitore të radhës kundër Barcelonës me rezultat 2:0. Liverpool me mjaft mund fitoi në “Anfield” kundër Ajax me shifrat 2:1.

Skuadra e Bayern ka fituar ndeshjen e shumëpritur kundër Barcelonës, duke i mposhtur katalonasit falë një këndellje që patën në pjesën e dytë.

Barcelonës i kushtoi shumë mosefikasiteti në pjesë të parë, pasi humbi mundësi të mira shënimi. Edhe Lewandowski u vendos dy herë në pozitë të favorshme shënimi, por nuk ia doli të ishte klinik.

Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në stadiumin “Anfield”, skuadra e Jurgen Klopp u rikthye te fitorja, por u deshtë shumë mund për t’i marrë tre pikët e plota ndaj Ajaxit.

Raporti i ndeshjes Bayern 2:0 Barcelona

Në qendër të vëmendjes ishte mikpritja për Lewandowskin nga ana e tifozëve vendës para se të fillonte ndeshja, por ajo ishte e ngrohtë, ndryshe nga seç raportohej se mund të ndodhte një kontestim eventual.

Shumë më mirë e nisën ndeshjen katalonasit, të cilët ishin më të qartë në manovrat e tyre sulmuese. Shpesh ia dolën që të krijonin raste të rrezikshme shënimi, por mungoi gjakftohtësia para portës.

Bayern ishte letargjik në pjesë të parë për meritë të një paraqitje tejet të mirë të Barcelonës, e cila po mbizotëronte në ndeshje në çdo aspekt të mundshëm.

Kështu, pjesa e parë u mbyll me portat e paprekura. Në pjesën e dytë gjërat filluan të ndryshonin. Bayern hyri me një vëllim tjetër të lojës në sulm.

Në minutën e 50-të përmes ekzekutimit të një këndoreje, bavarezët kaluan në epërsi. Më lart se të gjithë kërceu Hernandez, duke ia dhuruar epërsinë vendësve.

Pas katër minutave erdhi edhe goditja e dytë për skuadrën e Xavit. Një kombinim i shpejtë mes Musialas dhe Sanes prodhoi golin e dytë, me këtë të fundit që ishte shpërthyes, duke shkuar para portës për ta shënuar golin për 2:0.

Në gjysmë orëshin e fundit të ndeshjes, Bayern pati në kontroll lojën, duke qenë mbizotërues në fushë. Nën anën tjetër, u vërejt një lodhje e Barcelonës, e cila nuk pati shkëlqimin e njëjtë si në pjesë të parë.

Bayern vulosi fitoren me rezultat 2:0, duke fortifikuar pozitën e parë pas javës së dytë që u zhvillua në grupin C.

Raporti i ndeshjes Liverpool 2:1 Ajax

Liverpool e nisi me një tryesni të lartë ndeshjen e sotme kundër Ajaxit, ku hynë me të gjitha forcat që ta gjenin golin e epërsisë.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 17-të, pasi Mo Salah finalizoi mjaft mirë asistin e dhuruar nga Jota. Kësisoj, pas disa ndeshjeve ai gjeti golin.

Mirëpo epërsia e Liverpoolit zgjati vetëm për pak minuta, ngase mysafirët përmes një kundërsulmi mjaft mirë të ndërtuar ia dolën ta kthejnë rezultatin në baraspeshë. Goli i Ajaxit erdhi falë një goditje tejet të bukur të Kudus në minutën e 27-të të takimit.

Në vazhdim të pjesës së parë Liverpool u mundua që ta rikthente epërsinë në favor të vet, por pa sukses. Pas pauzës prej 15 minutave mes dy pjesëve, Liverpool vazhdoi të ishte më kërkues në lojë, ani se nuk arrinte dot ta krijonte përshtypjen e dikurshme, se mund ta gjente golin nga minuta në minutë.

Sulmet e Liverpoolit deri në minutën e 70-të ishin të vazhdueshme. Në një moment statistikat ishin 19:2 në favor të skuadrës së Klopp sa i përket goditjeve në drejtim të portës. Gjithsesi, këto ishin vetëm numra, pasi asgjë nuk ndryshoi deri në atë periudhë të ndeshjes.

Mirëpo goli i shumëpritur për skuadrën nga Merseyside erdhi pak minuta para se të përfundonte takimi. Joel Matip fitoi duelin në ajër dhe shpiu topin në rrjetë me anë të një goditje të saktë me kokë. Ky gol erdhi në minutën e 89-të të ndeshjes.

Deri në fund të takimit Liverpool nuk e pati problem që ta ruajë epërsinë, duke shënuar fitoren e parë në grupin A.

Kjo është gjendja tabelore pas triumfit të Liverpoolit ndaj Ajaxit.

Rezultatet e shënuara në ndeshjet tjera në Ligën e Kampionëve

Për të treguar se kjo ishte një mbrëmje pozitive për skuadrat gjermane, tregon edhe rezultati që shënoi Bayer Leverkusen ndaj Atletico Madridit, duke e mposhtur me rezultat 2:0.

Në ndeshjet tjera u shënuan rezultate befasuese. Pikë së pari Club Brugge deklasoi në udhëtim Porton, duke shënuar kësisoj edhe befasinë e mbrëmjes. Belgët fituan me rezultat 0:4 përkundër të gjitha parashikimeve që ishin para se të niste kjo sfidë.

Një tjetër rezultat po ashtu befasues mund të cilësohet edhe fitorja e Frankfurtit me rezultat 0:1 si mysafir i Marseille.

Lajme të ngjashme