Drejtori i Bayern: Nuk dëshironim t’i ofronim Lewandowskit një kontratë katër-vjeçare me pagë vjetore aq të lartë
Drejtori i Bayern, Hasan Salihamidzic, është rikthyer të flasë për telenovelën e pafund, atë të Lewandowskit dhe largimit të tij nga Bayern.
Sot në mbrëmje është në program një sfidë e rëndësishme në Ligën e Kampionëve, që para se të nisë, ka nxitur një mori reagimesh. Bëhet fjalë për ndeshjen mes Bayern dhe Barcelonës.
Një ish-protagonist i Bayernit do të rikthehet në “Allianz Arena”, vetëm se kësaj radhe me fanellën e Barcelonës. Tifozët bavarezë pritet që ta presin me kontestime yllin polak.
Kontestime që vinë pas mënyrës se si ka kaluar e gjithë vera, me Lewandowskin që këmbëngulte në largim dhe Bayernin që frenonte deri kur pranoi ofertën e duhur në vlerësimin e tyre.
Mosdëshira e Bayernit për t’ia kënaqur kërkesat Lewandowskit
Sado që kanë kaluar disa javë prej që Lewandowski është transferuar te Barcelona, akoma nxit shumë reagime marrëdhënia e tij me Bayernin, si ish-klub ku luajti për një dekadë, duke kontribuuar me shumë gola.
Salihamidzic në një intervistë për “El Pais” tregoi disa të pathëna më herët: “Dëshironim që t’ia vazhdonim kontratën, por njësoj nuk dëshironte ai. Dhe, kemi vendosur që ishte më mirë ta shisnim sesa të lirohej në 2023 me parametra zero”, tregoi ai.
Ai shpjegoi edhe se ku ndodhi plasaritja e madhe mes dy palëve: “Barcelona ka ndërtuar një skuadër të jashtëzakonshme, por ne kemi disa rregulla. Kur i vazhdojmë kontratat e lojtarëve mbi 30-vjeç, nuk e shtojmë një vit shtesë. Nuk ishim të gatshëm t’i ofronim një kontratë katër-vjeçare me një pagë kaq të lartë. Është një strategji e jona kjo”, nënvizoi drejtori boshnjak.
Tutje, Salihamidzic tregoi edhe një prapaskenë pasi Lewandowski dhe Bayern ndanë rrugët, edhe pse nuk mohoi se ka pasur me periudha të caktuara tensione të mëdha.
“Lewy na solli shishe të shampanjëve. Jemi përshëndetur si miq të vërtetë. Ai do të flasë gjithmonë mirë për Bayernin, njësoj siç ne për ne”, përfundoi ai.
Lewandowski po shkëlqen me fanellën e Barcelonës në këtë fillim të sezonit, duke shënuar gola në të dy kompeticionet e mëdha, si në La Liga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Deri më tani ai ka qenë pikë referimi për skuadrën e drejtuar nga Xavi Hernandez, duke treguar lidership, personalitet dhe shumë përvojë, e cila i kishte munguar ekipit prej shumë kohësh.
Xavi ka thënë se ai është i motivuar dhe gati për t’u përballur ndaj ish-skuadrës së vet, Bayernit. Në anën tjetër, Muller i ka lutur tifozët e Bayernit që t’i jenë mirënjohës për atë që ka dhënë për klubin, ndonëse ka thënë se nuk interferon në zgjedhjen e tyre për t’i shfaqur ndjesitë në formë liberale.

