“Prodhuesi vendor po shihet si armik”: Mbyllja e qumështores "VITA" nxit reagime të shumta - NACIONALE

“Prodhuesi vendor po shihet si armik”: Mbyllja e qumështores "VITA" nxit reagime të shumta

1 orë më parë

nga NACIONALE

Lajmi për mbylljen e përkohshëm të qumështores më të madhe në vend, “Vita”, ka nxitur reagime të shumta në vend.

Përfaqësues të bizneseve dhe të partive politike opozitare kanë shprehur shqetësime të thellë pas një veprimi të tillë. Ata kanë vlerësuar se kjo është një goditje të rëndë për ekonominë lokale dhe fermerët e rajonit të Dukagjinit.

Mbyllja e kësaj qumështoreje pas zbarkimit të dhjetëra inspektorëve të agjencisë ka bërë që të kritikohet ashpër Qeveria Kurti.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka vlerësuar se qasja e qeverisë ndaj bizneseve është absurde dhe armiqësore.

“Sot u vërtetua edhe njëherë se ky pushtet e sheh prodhuesin vendor si armik. Mbyllja e qumështores më të madhe në vend, Vita, la qindra punëtorë pa punë dhe mijëra fermerë kosovarë në udhëkryq. Është absurde dhe e dhimbshme të shihet se si një prodhues vendor largohet dhunshëm nga raftet e marketeve tona, duke i lënë kështu hapësirë e terren të lirë produkteve me origjinë nga Serbia. Arsyetimi për kontroll të cilësisë është edhe më i rëndë, sepse kontrolli i ushqimit duhet të bëhet në vazhdimësi e jo një herë në 6 vite për qëllime politike. Kur shteti sillet si shkatërrues ndaj prodhuesve të vet, pasojat i vuan tryeza e çdo qytetari. Kjo mendësi rrënuese po e ngulfat ekonominë tonë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, duke shtuar se institucionet duhet ta sqarojnë menjëherë këtë rast dhe të gjejnë zgjidhje që puna të rifillojë sa më parë.

Veprimet e inspektorëve të pushtetit janë kritikuar edhe nga deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arben Mustafa.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se kjo është arsyeja që nuk ka investime të huaja në Kosovë.

““Inspektori” Armend Muja po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes! Represioni i sotëm ndaj qumështores Vita tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë! E pastaj pyesim pse nuk ka investime në Kosovë. Nuk mund të ketë as investime vendore e as investime të huaja në një vend ku qeveria është armiqësore ndaj sektorit privat”, ka shkruar ai.

Edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të Qumështores “Vita”.

“Mbyllja e Qumështores VITA është goditje direkte ndaj ekonomisë së Kosovës! Ajo që po ndodh me Qumështoren VITA është alarm për gjithë sektorin privat në Kosovë. Mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk është vetëm çështje e një kompanie – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj qindra vendeve të punës, qindra fermerëve vendorë, zinxhirit të furnizimit dhe stabilitetit të tregut në Kosovë”, është thënë në reagimin e tyre.

Kurse, eksperti i ekonomisë Dardan Sejdiu, ia ka rikujtuar Albin Kurtit që dikur bënte fushatë me “Duaje tënden”.

“Para disa dite pata postu per logon “Duaje Tëndën”, te dizajnuar nga Fisnik Ismaili, dhe historine e krijimit te asaj fushate sa ishim pjese e Lëvizjes Vetëvendosje. Beteja per forcimin dhe perkrahjen e prodhimit vendor ka fillu ne vitin 2011. Nuk ishte vec nje logo apo nje fushate vetedijesuese. Ishte pjese e nje vizioni me te madh: ndertimi i industrise vendore dhe krijimi i politikave publike qe i japin prodhuesit vendor mundesine me u rrite, me investu e me konkuru”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme