Lëshon pe Katari: Alkooli do të përdoret në stadiume gjatë Kupës së Botës 2022
Alkooli do të shërbehet në zonë të caktuara brenda stadiumeve gjatë Kupës së Botës së këtij viti, ka njoftuar organizatori.
Ngjarja më e madhe e FIFA-s do të mbahet në një vend mysliman në Lindjen e Mesme për herë të parë dhe pirja e alkoolit është e ndaluar në islam.
Po ashtu, në Doha është vendosur një zonë me kapacitet prej 40 mijë vendeve ku alkooli mund të blihet.
“Ne duam që njerëzit të vijnë këtu dhe të kenë përvoja që nuk do t’i harrojnë kurrë”, tha shefi ekzekutiv i Kupës së Botës në Katar, Nasser Al Khater.

Al Khater tha se ende janë duke e përfunduar “strategjinë e alkoolit”, por kjo është hera e parë që Komiteti Supreme i Katarit njofton publikisht se do t’i lejojë tifozët të pinë alkool brenda stadiumeve.
Se a do të jetë në një zonë të veçantë apo brenda stadiumit ende nuk është konfirmuar, por raportohet se tifozët me bileta do të lejohen të blejnë alkool tri orë para fillimit të ndeshjes dhe një orë pas ndeshjes, por jo edhe gjatë ndeshjes.
Ky hap shënon një zbutje të madhe të rregullave për Kupën e Botës sepse Katari – si çdo vend tjetër i Lindjes së Mesme – ka rregulla të rrepta kontrolli për alkoolin dhe pirja e tij në publik është e jashtëligjshme.
Hotelet dhe restorantet e licencuara janë vendet e vetme të cilat shesin alkool, por vizitorët gjatë turneut të famshëm do të jenë në gjendje të blejnë pije alkoolike edhe në Festivalin e tifozëve të FIFA-s në Parkun e Dohas, Al Bidda.

“Derisa alkooli do të jetë në dispozicion të atyre që duan ta pinë në zona të caktuara, kjo pije nuk do të jetë në dispozicion nëpër rrugë. Ajo çfarë kërkojnë ne është që njerëzit, kur të na vizitojnë, t’iu përmbahen zonave të caktuara”, tha Al Khateri.
Katari e ka një popullsi prej mbi tre milionë banorë dhe pritet që rreth 1.2 milionë vizitorë do të jenë nëpër stadiume gjatë Kupës së Botës.

