“Lesh e li”, “Liverpooli i hëngri të gjallë” – reagimet ndaj Manchester Unitedit për disfatën 7:0
“Të pacipë”, “E turpshme”, “Lesh e li”.
Ish-kapiteni i Manchester Unitedit, Gary Neville, nuk u përmbajt fare pasi e pa ekipin e vet të vjetër duke u shkatërruar copa-cipa nga një ekip i pamëshirshëm i Liverpoolit të dielën.
Disfata 7:0 e Unitedit ishte humbja më e rënda garuese – me të njëjtin rezultat si kundër Blackburn Rovers në prill 1926, Aston Villa në dhjetor 1930 dhe Wolves në dhjetor 1931.
Gjashtë prej shtatë golave u shënuan në një pjesë të dytë mahnitëse të Liverpoolit, me kundërshtarët që thjesht nuk ishin në gjendje, apo nuk kishin vullnet, ta përballonin.
Neville e veçoi kapitenin Bruno Fernandes për ta kritikuar për paraqitjen e tij individuale.
“Pjesa e dytë ishte turp i vërtetë”, tha Neville për Sky Sports.
“U bë lesh e li, shembull i saj ishte kapiteni Bruno Fernandes, i cili ishte i pacipë kohë pas kohe. Ata nuk i kanë kuptuar rreziqet e kësaj përballjeje.”
“(Liverpooli) i ka ngrënë të gjallë lojtarët e Manchester Unitedit sot”, nënvizoi ai.

Zemërimi i Fernandesit për ngjarjet që ndodhin përreth tij u bë seç herë e më i qartë me kalimin e kohës në pjesën e dytë.
Në një çast, kur mesfushori i ri Stefan Bajcetiq e kaloi atë pranë vijës anësore, portugezi u ndal në vend në vend se të përpiqej ta ndiqte atë për t’i marrë topin.
Neville u inatos edhe me veprimin e Fernandesit kur bëri me dorë drejt bankës në çastin kur Marcus Rashford po zëvendësohej në minutën e 85-të, me gjasë duke pyetur pse ai nuk po nxirrej nga loja.
“Ai e ka ngritur dorën po pyet: ‘Pse nuk po më zëvendësoni mua?’ Jam lodhur nga Fernandes duke i ngritur duart lart, duke u qarë për secilin, duke e mbajtur fytyrën pas ndërhyrjeve ndaj tij”, shtoi Neville.
Neville këmbënguli: “Kështu nuk paraqitet një kapiten i Manchester Unitedit dhe jam i sigurt se Erik ten Hag do të merret me këtë punë”.

Ish-kapiteni tjetër i Unitedit, Roy Keane, ishte po aq i inatosur me sjelljen e Fernandesit.
“Sjellja e Fernandesit sot nuk është gjë tjetër pos e pacipë”, tha Keane për Sky Sports.
Përkundër reagimeve në fushë, Fernandesi nuk hezitoi të dalë para mediave.
“Është shumë tërbuese, zhgënjyese dhe pikëlluese sepse ky është rezultat vërtet i keq”, tha Fernandes pas ndeshjes.
Para kësaj ndeshjeje, shumë njerëz mendonin se Unitedi po futej në garë për titull, por tani që u turpërua nga rivali i vet, ka ngelur 14 pikë larg liderit Arsenal, me një lojë më pak të zhvilluar.
