L’Equipe i gozhdon lojtarët e Francës pas disfatës kundër Danimarkës
Gazeta prestigjioze franceze L’Equipe i ka gozhduar disa prej yjeve të Kombëtares së Francës, pas disfatës 2:0 kundër Danimarkës në ndeshjen e fundit të sezonit në Ligën e Kombeve të dielën mbrëma.
Franca, e udhëhequr nga Didier Deschamps, ia doli ta shmangë rënien një kategori më poshtë të garës së UEFA-s, por vetëm pasi Austria u mposht nga Kroacia në ndeshjen tjetër të Grupit 1.
Kjo ishte një paraqitje tjetër e dobët e Francës dhe vjen në prag të Kupës së Botës 2022 në Katar këtë nëntor, ku Franca synon ta mbrojë titullin e fituar katër vite më parë në Rusi.

Gazeta franceze nuk është përmbajtur në kritikat për yjet e kombëtares së vet.
Olivier Giroud, Ferland Mendy, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Dayot Upamecano dhe William Saliba u vlerësuan me notën 3 nga 10 për paraqitjen e tyre dëshpëruese.
As yjet si Kylian Mbappe, Antoine Griezmann dhe Benjamin Pavard nuk shpëtuan hiç më mirë, pasi u vlerësuan me notat 4 nga 10.

Nota më e lartë iu dha portierit Alphonse Areola dhe mbrojtësit Benoit Badiashile, 5.
Mbappe u kritikua nga L’Equipe për humbjen e shumë rasteve të shënimit dhe se nuk ishte në gjendje ta shtrinte ndikimin në lojë.
Trajneri Deschamps, i cili u vlerësua me notën 4, e mbrojti Mbappen nga kritikat pas ndeshjes.
“Kyliani ka bërë shumë gjëra të mira. Ai është njëri nga lojtarët e pakët që i ka zhvilluar 90 minuta dy herë në tri ditë. Ai nuk mund të bëjë gjithçka”, tha Deschamps.
“Ai ishte më vendimtar tri ditë më parë, po, ashtu siç ishte i tërë ekipi. Unë nuk brengosëm për Kylianin”.
Mbappe e kishte një natë për t’u harruar për Kampionin e Botës 2018, pasi dështoi të shënojë gol, pavarësisht se i bëri hiç më pak se pesë goditje në drejtim të portës daneze për 90 minuta.
