Trajneri i Francës pas paraqitjes së dobët të Mbappes kundër Danimarkës: Ai s’mund të bëjë gjithçka
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka këmbëngulur se nuk shqetësohet për formën e Kylian Mbappes dhe e ka mbrojtur atë pas paraqitjes së tij të dobët kundër Danimarkës të dielën.
Franca u rrah keq nga Danimarka 2:0 në ndeshjen e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, megjithëse i shpëtoi për pak rënies një kategori më poshtë.
Megjithatë, Deschamps e ka mbrojtur Mbappen nga kritikat.
“Kyliani ka bërë shumë gjëra të mira. Ai është njëri nga lojtarët e pakët që i ka zhvilluar 90 minuta dy herë në tri ditë. Ai nuk mund të bëjë gjithçka”, tha Deschamps.
Forma e dobët e 23-vjeçarit për ekipin kombëtar vjen në një kohë të papërshtatshme, duke ditur se Kupa e Botës 2022 do të mbahet në nëntor dhe dhjetor në Katar.
“Ai ishte më vendimtar tri ditë më parë, po, ashtu siç ishte i tërë ekipi. Unë nuk brengosëm për Kylianin”.

Mbappe e kishte një natë për t’u harruar për Kampionin e Botës 2018, pasi dështoi të shënojë gol, pavarësisht se i bëri hiç më pak se pesë goditje në drejtim të portës daneze për 90 minuta.
Por tri ditë më herët, sulmuesi i Paris Saint-Germainit shënoi një herë në fitoren 2:0 të Francës kundër Austrisë.
Franca i shpëtoi rënies nga Liga A në Ligën B, pavarësisht disfatës kundër Danimarkës në ndeshjen e fundit të Grupi 1.
Kroaci e fitoi grupin me 14 pikë dhe kaloi në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, Danimarka e përfundoi fushatën në vendin e dytë, ndërsa Franca ngeli e parafundit, me Austrinë që ra në Ligën B.
Tani Mbappe do të kthehet në kryeqytetin francez për t’iu ribashkuar klubit të vet, i cili përballet me Nice të shtunën mbrëma në Ligue 1.
