Legjenda e Man Utd kritikon Ronaldon: Nuk mund ta shihnit Messin duke vepruar në këtë mënyrë
Legjenda e Manchester United, Paul Ince, ka kritikuar Cristiano Ronaldon për mënyrën si ka vepruar deri më tani dhe ka insistuar se sulmuesi portugez duhet të largohet deri në fund të afatit kalimtar veror.
Ince beson se veprimet e fundit të Ronaldos kanë shpërqendruar pjesën tjetër të skuadrës së United. Ai gjithashtu pretendoi se bashkëlojtarët e tij të mëparshëm të Unitedit nuk do ta kishin pranuar një sjellje të tillë.

“Ronaldo duhet të largohet nga Manchester United. Nëse ai do të ishte në dhomën e zhveshjes së United kur unë luaja me lojtarë si Roy Keane dhe Steve Bruce, ne nuk do ta duronim dhe ai nuk do të shpëtonte me asnjë dënim në kthim”, tha Ince për BoyleSports.
"Lënia e Ronaldos jashtë 11-shes së fillimit (kundër Liverpoolit) ishte shumë e rëndësishme, sepse u tregon njerëzve se mund të ketë jetë pa Ronaldon. Ai ka qenë një shpërqendrim për të gjithë në Manchester United. Ju nuk do ta shihnit Lionel Messin asnjëherë të sillet ashtu siç ka bërë Ronaldo këto kohë."
Ronaldo kërkoi të largohej nga Old Trafford në fillim të verës dhe u la jashtë ekipit që mposhti Liverpoolin të hënën mbrëma, në derbin e dy skuadrave më të trofeshme në Angli. Së fundmi ai ka treguar se së shpejti do të japë anën e tij të historisë në një intervistë, duke aluduar se gjërat e thëna për të nga raportimet e shpeshta për refuzime dhe ofrime në skuadra tjera kanë qenë gënjeshtra.
A do të luajë Ronaldo në ndeshjen e ardhshme nga fillimi?
Ndeshjen e ardhshme djajtë e kuq e zhvillojnë kundër Southampton në udhëtim te stadiumi Saint Mary. Ronaldo duket se ka gjasa që ta fillojë takimin nga minuta e parë, duke parë që United e fitoi ndeshjen ndaj Liverpoolit pa ndihmën e tij, i cili u inkuadrua vetëm në minutat e fundit të takimit.

Gjithsesi edhe rikthimi i sulmuesit francez, Anthony Martial, mund të ndikojë që portugezi mos të jetë nga fillimi, pasi që francezi ishte në formë të mirë në para-sezon dhe gjithashtu tregoi gjëra të mira në ndeshjen ndaj Liverpoolit, që ishte e para që pas rikthimit nga lëndimi i pësuar pak para se të fillonte sezoni i ri në Premierligë.

