Legjenda argjentinase: Ndoshta Kombëtarja e Argjentinës është mbivlerësuar - NACIONALE

Legjenda argjentinase: Ndoshta Kombëtarja e Argjentinës është mbivlerësuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëri nga yjet e mëdha të futbollit argjentinas, Claudio Caniggia, në një intervistë dhënë sot për “Corriere Dello Sport” ka thënë se Argjentina është mbivlerësuar para këtij Botërori.

Sot, të gjithë sytë e popullit argjentinas janë në sfidën që kombëtarja e tyre do ta luajë ndaj Meksikës. Disa e kanë parashikuar edhe favorite Kombëtaren e Argjentinës, edhe për shkak se vinte nga një seri prej 36 fitoresh rresht.

Ish-sulmuesi i spikatur i kësaj kombëtare, Caniggia, mendon se është mbivlerësuar kapaciteti i ekipit të drejtuar nga Scaloni, por ai shprehet shumë kurioz për të parë se çfarë reagimi do ta kenë pas humbjes katastrofike kundër Arabisë Saudite.

“Mbase kjo Argjentinë është mbivlerësuar. Jam kurioz të shoh reagimin e lojtarëve tanë kundër Meksikës. Nuk ishin mësuar të pësonin disfatë dhe tani kundërshtarët u druhen më pak. Argjentina e bëri atë që nevojitej. Mirëpo, e ritheksoj: ndoshta kjo Argjentinë është mbivlerësuar”, tha ai.

Caniggia ka qenë edhe bashkëlojtar i Maradonas në periudhën e artë të tij. Së bashku kanë fituar edhe Botërorin e edicionit 1990 të zhvilluar në Itali.

Me gjithë respektin që ka ndaj Messit, Caniggia vlerëson se Maradona ishte diçka tjetër, njashtu edhe vetë legjenda braziliane Pele.

“Leo në fushë është ngazëllues, por gjithnjë kam thënë që Maradona dhe Pele janë mbi të gjithë”, theksoi Caniggia.

Messi gati për ndeshjen ndaj Meksikës

Gjatë ditëve të fundit disa pamje të Leo Messit teksa stërvitej i veçuar kishin brengosur tifozët e Argjentinës. Mirëpo, shtatë herë fituesi i Topit të Artë do t’ia dalë të jetë gati për ndeshjen e sontme.

Kështu mbrëmë deklaroi vetë përzgjedhësi i Kombëtares së Argjentinës, Scaloni, duke thënë se ai si fizikisht e ashtu edhe moralisht është gati për këtë takim.

“Messi është mirë. Më shumë se kurrë kemi nevojë për të gjithë në këtë moment. Jam i bindur që do të shkojë mirë gjithçka. Për këtë nuk kemi dyshime. Messi është mirë fizikisht, ashtu sikur edhe moralisht. Për këtë nuk kemi probleme”, tha ai.

Përzgjedhësi argjentinas u zotua se të besuarit e tij do ta japin maksimumin prej vetes deri në frymën e fundit të ndeshjes.

“Është një ndeshje futbollit ku i gjithë vendi pret shumë prej ne, por nuk kam mëdyshje se do të japim gjithçka prej vetes deri në çastet e fundit sa të jemi në fushë”, theksoi ai.

Ndeshja mes Argjentinës dhe Mekikës luhet sot me fillim në ora 20:00. Argjentina për momentin është në pozitën e fundit me 0 pikë. Arabia Saudite udhëheq në vendin e parë me 3 pikë, ndërsa Polonia dhe Meksika ndajnë pozitën e dytë, respektivisht të tretën me 1 pikë.

Lajme të ngjashme