Scaloni: Messi është gati ndaj Meksikës - fizikisht është mirë
Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka folur në konferencë për shtyp para gazetarëve në prag të ndeshjes vendimtare kundër Meksikës. Ai ka qetësuar të gjithë edhe rreth Messit, duke thënë se është gati për këtë takim.
Agjentina më nuk mund të gabojë. Pas humbjes që pësoi ndaj Arabisë Saudite, tashmë është e kushtëzuar që t’i fitojë dy ndeshjet e mbetura në grupin C.
Gjatë këtyre ditëve fokusi i plotë ka qenë te Lionel Messi. Ai është stërvitur i veçuar gjatë gjithë kohës për shkak të një goditje që kishte pësuar në miqësoren kundër Emiratëve të Bashkuara Arabe.
Në lidhje me këtë çështje Scaloni deshi që t’i qetësojë të gjithë tifozët argjentinas, duke thënë se Lionel Messi është gati si fizikisht, ashtu edhe moralisht.
“Messi është mirë. Më shumë se kurrë kemi nevojë për të gjithë në këtë moment. Jam i bindur që do të shkojë mirë gjithçka. Për këtë nuk kemi dyshime. Messi është mirë fizikisht, ashtu sikur edhe moralisht. Për këtë nuk kemi probleme”, tha ai.

Optimist para sfidës ndaj Meksikës
Përzgjedhësi Scaloni komentoi edhe gjenjden e tërësishme të ekipit kombëtar një ditë para sfidës jetike ndaj Meksikës.
Ai shprehet optimist se grupi i lojtarëve do të di që të kalitet nga dëshpërimi i madh që pësoi gjatë fillimit të javës kur shënoi disfatë ndaj Arabisë Saudite.
“Reagimi i ekipit ka qenë i menjëhershëm. Ky grup i ka të gjitha mundësitë për t’ ringritur. Për këtë nuk kemi dyshime”, shtoi ai.
Përzgjedhësi argjentinas tha se po shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme kur u pyet në lidhje me skemën e lojës nëse do të pësojë ndryshime.
“Jemi duke i vlerësuar disa alternativa për lojën tonë, por jo edhe mënyrës e të luajturit. Mund të ndodhë që do ta përdorim një variant të ri, por do të vendosim sot”, nënvizoi ai.

Ai pati respekt të madh edhe për kundërshtarin. Meksikën e vlerësoi si një skuadër konkrete, me një trajner të madh.
“Meksika është një skuadër shumë e mirë, me një ide të lojës shumë të qartë. Është një ekip sulmues, me një trajner të madh. Mirëpo, e kemi të qartë që duhet të vazhdojmë të ballafaqohemi në këtë ndeshje në formën siç e kishim paragramuar”, shpjegoi Scaloni.

Përzgjedhësi argjentinas u zotua se të besuarit e tij do ta japin maksimumin prej vetes deri në frymën e fundit të ndeshjes.
“Është një ndeshje futbollit ku i gjithë vendi pret shumë prej ne, por nuk kam mëdyshje se do të japim gjithçka prej vetes deri në çastet e fundit sa të jemi në fushë”, theksoi ai.
Ndeshja mes Argjentinës dhe Mekikës luhet nesër me fillim në ora 20:00. Argjentina për momentin është në pozitën e fundit me 0 pikë. Arabia Saudite udhëheq në vendin e parë me 3 pikë, ndërsa Polonia dhe Meksika ndajnë pozitën e dytë, respektivisht të tretën me 1 pikë.

