Messi sërish me probleme fizike, stërvit i veçuar
Gjendja fizike e Leo Messit vazhdon ta shqetësojë Kombëtaren e Argjentinës në prag të ndeshjes së radhës që do ta luajë kundër Meksikës.
Ylli argjentinas edhe sot nuk ka dhënë shenja të mira sa i përket gjendjes së tij fizike. Lëndimi që pësoi në ndeshjen miqësore ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, akoma po vazhdon ta shoqërojë atë.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë edhe sot u stërvit i veçuar nga grupi, pa pasur mundësi që t’u bashkangjitej bashkëlojtarëve në stërvitjet e plota.

Siç raporton e përditshmja spanjolle “Marca”, ai në seancën e sotme stërvitore ka bërë punë regjeneruese. Sidoqoftë, ai pritet të jetë në gatishmëri të plotë për ndeshjen e radhës, asaj kundër Meksikës, që do të luhet gjatë ditës së shtunë.
Kujtojmë se Messi ka disa ditë që po bën stërvitje të tilla. Pra, i veçuar nga grupi tjetër i lojtarëve, për të shkuar kështu në një formë të kujdesshme drejt rikuperimit të plotë nga ajo goditje që pranonte ditë më parë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe.
Lionel Scaloni beson se kapiteni i kombëtares do të jetë në gjendje që ta udhëheqë në fushë skuadrën, për ta harruar sa më parë ndeshjen kundër Arabisë Saudite, ku u pësua një humbje sa e çuditshme, aq e befasishme me rezultat 2:1.
