Trajneri i Argjentinës Scaloni: Sauditët na zunë në pozitë jashtë loje me milimetra, sot ditë e trishtuar - NACIONALE

Trajneri i Argjentinës Scaloni: Sauditët na zunë në pozitë jashtë loje me milimetra, sot ditë e trishtuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, e ka përshkruar si ditë të trishtuar për kombin argjentinas disfatën tronditëse 2:1 nga Arabia Saudite në ndeshjen e tyre hapëse në Kupën e Botës 2022 të martën.

Falë një paraqitjeje të guximshme dhe të shkëlqyer, Arabia Saudite e përmbysi rezultatin nga 1:0 në 1:2 për ta fituar ndeshjen hapëse në Grupin C kundër Argjentinës.

Ishte një paraqitje tepër energjike nga sauditët, të cilët ishin shumë të disiplinuar edhe teknikisht, duke luajtur me një vijë të lartë mbrojtjes, që e neutralizoi plotësisht Lionel Messin me shokë.

Ne e dinim se si luan Arabia. Ne e përgatitëm lojën duke e ditur se ata luajnë me një vijë mbrojtëse të lartë. Pozitat jashtë loje që na zunë ishin milimetrike”, tha Scaloni pas ndeshjes në konferencë për media.

Po ashtu, sauditët ia ndërprenë ecurinë prej 36 ndeshjeve pa humbje Argjentinës së Lionel Messit.

Nuk kemi zgjidhje tjetër por të vazhdojmë përpara. Nuk kemi pse të analizojmë më shumë se kaq. Sot është një ditë e trishtuar, por ne duhet ta ngremë kokën lart dhe të vazhdojmë tutje”, nënvizoi ai.

Sauditët dukeshin të mbaruar në pjesën e parë, pasi Lionel Messi e kaloi Argjentinën në epërsi 1:0 duke shënuar nga penalltia. Argjentinës iu shfuqizuan po ashtu tri gola për pozitë jashtë loje në një pjesë të parë ku argjentinasit u zunë plot shtatë herë në pozitë jashtë loje nga kurthi i përkryer saudit.

Por sauditët e përmbysën lojën brenda 10 minutave në fillim të pjesës së dytë falë golave të shkëlqyer nga Saleh Al-Shehri, i cili e barazoi rezultatin, dhe Salem Al Dawsar që shënoi për epërsinë dhe fitoren e kombëtares saudite.

Scaloni shtoi: “Mendoj se pjesa e parë ishte tërësisht e jona, por një gol mund të ndryshojë gjithçka. Ne do t’i analizojmë golat e tyre me qetësi.

Ne ende mendojmë njëjtë. Para ndeshjes na cilësuan si favoritë. Por këto gjëra ndodhin në Kupën e Botës. Ne duhet të punojmë në gjërat që nuk shkuan mirë. Humbëm por do të ngrihemi për të luftuar në dy ndeshjet e radhës, i kemi edhe dy ndeshje.”

Argjentina do të përballet edhe me Poloninë dhe Meksikën në Grupin C në dy ndeshjet e fundit grupore.

Lajme të ngjashme