Chelsea e shkarkon trajnerin Thomas Tuchel - NACIONALE

Chelsea e shkarkon trajnerin Thomas Tuchel

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Chelsea e ka shkarkuar trajnerin Thomas Tuchel të mërkurën, një ditë pas disfatës kundër Dinamo Zagrebit në Ligën e Kampionëve.

Sezoni i keq i Chelseat e arriti pikën më të ulët të martën mbrëma, kur u mposht 1:0 nga klubi kroat Dinamo Zagreb, gjë që i ka kushtuar tani me shkarkim trajnerit gjerman, raporton Nacionale.

Todd Boehly e largoi Tuchelin vetëm tre muaj pasi e bleu klubin nga Roman Abramovich.

“Klubi i futbollit Chelsea i ka ndarë rrugët me trajnerin Thomas Tuchel”, thuhet në një njoftim të klubit londinez.

“Në emër të të gjithëve në Chelsea, klubi dëshiron t’i shprehë mirënjohje Thomasit dhe stafit të tij për të gjitha përpjekjet e tyre gjatë kohës me klubin. Thomasi do ta ketë një vend me meritë në historinë e Chelseat”.

Të kaltrit e Londrës i humbën dy prej gjashtë ndeshjeve të para në sezonin e ri në Premierligë, duke i arritur vetëm tri fitore dhe një barazim.

Tuchel, i cili u emërua në janar të vitit 2021, e udhëhoqi Chelsean në 100 ndeshje, duke ia fituar Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube gjatë qëndrimit njëvjeçar e gjysmë në Stamford Bridge.

Trajnerit gjerman iu dha një buxhet prej rreth 300 milionë eurove për ta përforcuar skuadrën në afatin kalimtar të verës. Ai i mori në klub yjet si Raheem Sterling, Kalidou Koulibaley, Pierre-Emerich Aubameyang, Wesley Fofana dhe Denis Zakaria.

Megjithatë, Chelsea ka treguar rezultate të dobëta deri tani këtë sezon, pasi renditet në vendin e gjashtë me vetëm 10 pikë, dhe e nisi sezonin me disfatë tronditëse në Ligën e Kampionëve.

Raportohet se Chelsea e ka tashmë një listë të ngushtë me zëvendësuesit e mundshëm të trajnerit gjerman.

Në mesin e atyre që mund ta zëvendësojnë Tuchelin thuhet të jenë Mauricio Pochettino, Graham Potter dhe Zinedine Zidane.

Lajme të ngjashme