Dinamo Zagreb bën befasinë, triumfon kundër Chelseas - NACIONALE

Dinamo Zagreb bën befasinë, triumfon kundër Chelseas

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dinamo Zagreb ka bërë befasinë qysh në xhiron e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur Chelsean.

Skuadra kroate triumfoi me rezultat minimal 1:0, sfidë kjo që u dominua plotësisht nga "Blutë" e Londrës.

Chelsea e nisi shumë mirë duke pasur disa raste nga minutat e parë. Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang kishte një rast të mirë nga afërsia, por që provoi të asistonte për një bashkëlojtar dhe kjo u devijua (9').

Kur askush nuk e priste, Dinamo Zagreb krijoi një kundëraksion shumë të shpejtë dhe kaloi në epërsi.

Ishte sulmuesi Mislav Orsic që mori topin nga gjysma pas një kundëraksioni dhe vrapoi para Wesley Fofana, e në fund mposhti edhe Kepa Arrizabalaga që t'i jep avantazhin Dinamos (13').

Chelsea pastaj vazhdoi të kërkonte golin e barazimit, por që assesi nuk e gjetën falë mbrojtjes së mrekullueshme të Dinamos që devijonin çdo top.

Në pjesën e dytë, Chelsea e nisi shumë mirë duke shënuar pas vetëm pesë minuta, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Ishte Aubameyang që realizoi në portën e vendasve pas një aksioni të shpejtë, mirëpo doli që Ben Chilwell ishte në pozitë jashtë loje, andaj goli nuk u pranua.

Vetëm disa minuta më vonë, Dinamo rrezikoi përmes Stefan Ristovski, që gjuajti nga një distancë shumë e largët, por Kepa bëri një super pritje që t'ia mohojë golin.

Në minutën e 59-të, trajneri Thomas Tuchel e inkuadroi në fushë shqiptarin Armando Broja, i cili zëvendësoi Aubameyang dhe kishte disa raste, mirëpo nuk arriti t'i konkretizojë.

Vlen të ceket në fund edhe rasti i Reece James, i cili ishte i pafat duke goditur shtyllën, derisa Jorginho pastaj kishte rastin e artë nga afërsia por portieri Dominik Livakovic bëri një pritje të mrekullueshme që i befasoi të gjithë.

Kështu, Dinamo arkëton pikët e plota dhe tani përkohësisht është lider në grupin E me tre pikë të mbledhura, derisa Chelsea qëndron në fund pa pikë.

Në ndeshjen e dytë të gazës së grupeve, Chelsea do të zhvillojë ndeshjen ndaj RB Salzburgut, derisa Dinamo Zagreb do të jetë mysafir i AC Milanit.

Lajme të ngjashme