Kylian Mbappe: Asnjëherë s’kam kërkuar të largohem në janar
Kylian Mbappe thotë se asnjëherë nuk ka kërkuar të largohet nga Paris Saint-Germaini, pas lajmeve në ditët e fundit në Francë se ai dëshiron të largohet nga klubi qysh në afatin kalimtar të janarit.
Sulmues 23-vjeçar i Kombëtares së Francës nënshkroi marrëveshje të re trivjeçare me PSG-në në maj.
Për Mbappen – fituesin e Kupës së Botës më 2018 – u përfol në të kaluarën se do t’i bashkohej Real Madridit.
“Jam shumë i lumtur”, tha Mbappe të dielën mbrëma pasi asistoi për Neymarin në triumfin e PSG-së 1:0 kundër Marseille.
“Asnjëherë nuk kam kërkuar të largohem në janar”, këmbënguli ai.

Lajmet se Mbappe donte të largohej nga klubi nisën të qarkullojnë para ndeshjes së PSG-së kundër Benficas në Ligën e Kampionëve të martën e kaluar.
“Nuk e kuptova nga doli ky lajm në ditën e ndeshjes. U trondita si të gjithë të tjerët. Njerëzit mund të mendojnë se isha i përfshirë, por nuk isha aspak”, vazhdoi ai.
Për Mbappen ka pasur thashetheme të mëdha gjatë gjithë verës, pavarësisht se ai u pajtua në maj që të qëndrojë në Parkun e Princave deri në verën e vitit 2025.
Javë më parë, gazeta franceze L’Equipe raportoi se marrëdhëniet mes Mbappes dhe Neymarit janë përkeqësuar shumë që prej fillimit të sezonit të ri.
Sipas të përditshmes franceze, Mbappe kishte bërë trysni për shitjen e Neymarit – i cili është pjesë e PSG-së që prej vitit 2017 – gjatë verës pasi drejtori i ri sportiv Luis Campos filloi rindërtimin e skuadrës.
Megjithatë, largimi i Neymarit nuk ndodhi dhe ai është i bindur tani se Mbappe kishte tentuar t’i bindte drejtuesit e klubit ta shisnin.
Derisa dy lojtarët mund të buzëqeshin në publik për t’u shtirur se gjithçka është në rregull – dhe i festojnë golat së bashku – mbrapa skenave gjërat janë përkeqësuar.
Ata patën mosmarrëveshje edhe në fushë për një penallti në fitoren e PSG-së 5:2 kundër Montpellier në gusht.
Mbappe e kishte humbur një penallti më herët dhe mendonte se do ta gjuante edhe të dytën kur PSG-ja e fitoi një tjetër njëmbëdhjetëmetërsh.
Megjithatë, Neymari e mori topin dhe gjuajti dhe shënoi. Mbappe shënoi gol më vonë dhe refuzoi të festojë, gjë që i bezdisi bashkëlojtarët e tij.

