Kush janë kundërshtarët e Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës - NACIONALE

Kush janë kundërshtarët e Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka bërë historinë duke arritur fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, pasi mposhti Shkupin në play-off me rezultat të përgjithshëm 3:1. Ndërsa sot në Stamboll është tërhequr shorti për këtë garë, ku suharekasit janë në Grupin G së bashku me Slavia Praha, CFR Cluj dhe Sivasspor. Por kush janë këta kundërshtar dhe cila është forca e tyre?

Deri më tani çfarë dimë është se Ballkani do të takohet me këta tre kundërshtarë në fazën e grupeve por ende nuk dihet se kur do të ndeshet me secilin nga kundërshtarët.

Në Ligën e Konferencës janë bërë disa ndryshime të vogla, për dallim nga sezoni i kaluar.

Ndeshjet e fazës grupore do të zhvillohet nga 8 shtatori deri më 3 nëntor.

Kampioni i Kosovës do të përballet nga dy herë, në shtëpi dhe në udhëtim, me secilin prej tre kundërshtarëve të vet në përpjekje për të kaluar në rrethin e 16 më të mirëve.

Fituesit e grupeve kalojnë në mesin e 16 më të mirëve, ndërsa vendet e dyta në rrethin e nokautit në play-off, ku do të përballen me vendet e treta të Ligës së Evropës për një vend në rrethin e 16 më të mirëve.

Slavia Praha

Fillojmë me Slavia Praha, që njëkohësisht është skuadra me vlerën më të lartë nga Grupi G, sipas Transfermarkt. Skuadra e Slavia Prahas ka vlerën 55,93 milionë euro. Lojtari më i vlerësuar është çeku, Tomas Holes me 7 milionë euro, ndërsa sulmuesi Peter Olayinka është menjëherë pas tij me 6,5 milionë euro.

Praha edhe pse në sezonin e rregullt kishte përfunduar e para në elitën e futbollit çek, në fazën e play-offit nuk arriti ta ruajë atë pozitë, të cilën ia rrëmbeu Viktoria Plzen dhe si rrjedhojë ata luajtën në kualifikimet për Ligën e Konferencës direkt në raundin e dytë.

Në këto faza ata mposhtën Saint Joseph, Panathinaikos dhe Rakow Czestochowan, për të arritur në grupet e Ligës së Konferencës.

Skuadra çeke është mjaftë me përvojë në garën evropiane, duke qenë pjesëmarrëse gjatë gjithë kohës në garat evropiane, që nga viti 1974.

Arritja më e madhe e tyre në Ligën e Kampionëve ishte pozita e tretë në sezonin 2007/08, ndërsa zuri pozitën e katërt po në këtë garë në sezonin 2019/20, ku në grup kishte Interin, Barcelonën dhe Dortmundin.

Ndërsa arritja më e madhe e tyre në historinë e saj në garat evropiane është çerekfinalja në Ligën e Evropës në sezonin 2020/21, ku u mposht nga Arsenali me rezultat të përgjithshëm 5:1, teksa në sezonin që lamë pas arriti deri në çerekfinalen e Ligës së Konferencës, ku u mposht nga Feyenoord 6:4.

CFR Cluj

Cluj nga Rumania, u shpall kampion i ligës nacionale në vitin që lamë pas, dhe kështu siguroi kualifikimet në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, por si Ballkani u mposht menjëherë në këtë fazë nga Yerevani, duke rënë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Në Ligën e Konferencës triumfoi ndaj Inter d’Escaldes, Soligorsk dhe në fund ndaj Maribor për t’u kualifikuar në fazën grupore të garës së tretë më të madhe evropiane.

Vlera e skuadrës rumune kap shifrën e 27,80 milionë eurove, ku lojtari më i vlerësuar është qendërmbrojtësi Andrei Burca me 4 milionë euro.

Ndonëse më me pak përvojë se Praha, edhe Cluj nuk qëndron keq në garat evropiane. Ata marrin pjesë që nga viti 2007, ndërsa suksesi më i madh i tyre është kualifikimi te 32 skuadrat më të mira në Ligën e Evropës në sezonin 2019/20, teksa në Ligën e Kampionëve më së shumti që kanë arritur është vendi i tretë në sezonin 2012/13.

Sivasspor

Për dallim nga dy skuadrat paraprake që kishin arritur deri në kualifikime të garave evropiane përmes ligës elitare, Sivasspor arriti këtu pas triumfit në Kupën e Turqisë ndaj Kayserispor, teksa në ligë u pozicionua si e 10-ta.

Skuadra turke ka vlerë prej 27,85 milionë euro dhe lojtari më me vlerë në skuadër është Dia Saba me 4,80 milionë euro.

Si fitues i Kupës turke, ata fituan të drejtën direkte për të luajtur në play-off të Ligës së Evropës, ku u mposhtën nga Malmo me rezultat të përgjithshëm 5:1, kështu duke u kualifikuar direkt në grupet e Ligës së Konferencës.

Sivasspor në garat evropiane nuk shënon ndonjë sukses të madh, duke luajtur shumë rrallë edhe në kualifikime. Suksesi më i madh i tyre është vendi i tretë në Ligën e Evropës në sezonin 2020/21.

Lajme të ngjashme