Kupa e Kosovës: Trepça ’89 e fiton me rezultat zyrtar ndeshjen e humbur ndaj Feronikelit 74
Trepça ’89 ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi Komisioni i Garave i FFK-së vendosi që ndeshjen e një të tetës kundër Feronikelit 74 ta regjistrojë me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të mitrovicasve të martën, ka konfirmuar për Nacionalen presidenti i klubit Abedin Zeka.
Feronikeli 74 e kishte mundur 1:0 Trepçën ’89 në përballjen e rrethit të 16 më të mirëve në kupë të shtunën e kaluar, por klubi Mitrovicas u ankua menjëherë në Federatën e Futbollit të Kosovës se klubi nga Drenasi kishte përdorur lojtarë të transferuar jashtëligjshëm në janar.
Kalimi i Trepçës ’89 në çerekfinale u konfirmuar për Gazetën Nacionale nga presidenti i klubit Abedin Zeka të martën.
“Po e kemi fituar lojën 3:0. Komisioni ka vendosur sot dhe ne e kemi fituar ndeshjen”, tha Zeka për Gazetën Nacionale.
FIFA e ka pezulluar Feronikelin 74 nga transferimi i lojtarëve të rinj gjatë afatit kalimtar të janarit, për shkak të borxheve të pashlyera ndaj ish-futbollistëve.
Me gjithë këtë pezullim, Feronikeli 74 i ftoi hiç më pak se gjashtë lojtarë të transferuar në janar për ndeshjen kundër Trepçës ’89 në rrethin e 16 më të mirëve të Kupës së Kosovës të shtunën në Drenas.
Tre prej gjashtë futbollistëve të rinj të ftuar për këtë takim, Donat Hasani, Fitim Susuri dhe Adem Maliqi – të gjithë të transferuar në afatin kalimtar dimëror – luajtën titullarë duke i ndihmuar Feronikelit ta fitojë ndeshjen.
Ndërsa, më vonë në lojë u futën edhe dy futbollistë të tjerë të transferuar në janar, Endrit Baholli dhe Shpresim Zogu. Në stol gjithashtu ishte edhe Armend Blakqorri që i bashkohet kësaj liste, por nuk luajti.
FIFA ia ka ndaluar Feronikelit 74 blerjen dhe regjistrimin e lojtarëve të rinj, pavarësisht që kjo e fundit ndryshoi duke pretenduar të jetë klub i ri.
Në letrën që ka siguruar Nacionale, shihet se klubi i Feronikelit është bllokuar me të dy emrat, shkaku i borxheve të mëdha drejt ish futbollistëve.

Ish-kampioni i Kosovës Feronikeli u shkri në Feronikeli 74 kohë më parë.
Drejtuesit e rinj të klubit pretendonin se Feronikeli 74 nuk ka asgjë të përbashkët me Feronikelin, pavarësisht se e kanë zënë vendin e tij në futbollin kosovar, Ligën e Parë dhe Kupën e Kosovës, si dhe përdorin stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Në një reagim pas ndeshjes në fundjavë, presidenti i Feronikelit 74, Erlind Krasniqi kishte pretenduar se klubi nuk ishte borxhli ndaj ish-futbollistëve dhe se FIFA nuk ia kishte ndaluar regjistrimin e lojtarëve të rinj.
“Fitoren e sotme nuk munda ta shijoj nga reagimet e njerëzve në lidhje me disa lajme që po qarkullojnë nëpër portale. Sa për sqarim, FC Feronikeli 74 ka fituar ndeshjen në fushë, aty ku luhet futboll dhe aty ku fitohen ndeshjet dhe për këtë e dijnë edhe futbollistët e mi se sa krenar jam me ta,” kishte shkruar Krasniqi në Facebook pas ndeshjes.
“FC Feronikeli 74 ka kryer të gjitha procedurat për transferimet e janarit dhe jemi të qetë dhe të hapur për ankesat e kujtdo, sepse nuk pretendojmë të bëjmë diqka të jashtëligjshme apo jashtë rregulloreve sportive”, kishte shtuar ai.
Krasniqi madje i kishte kritikuar mediat për raportimin e lajmit, duke u mbështetur në Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Ne si klub mbështesim cilindo vendim të FFK dhe organeve të saja, por të gjykohesh nga portale dhe njerëz jo kompetent, nuk e durojmë asnjëherë. Ne do të vazhdojmë të fitojmë, të shënojmë e të gëzojmë në fushë, aty ku luftojnë luftëtarët, për sa i përket jashtë fushës as nuk kam dyshimet më të vogla që kemi bërë diqka jashtë rregulloreve.”