"Kthehuni me fitore": Yjet e Kosovës që mungojnë ndaj Rumanisë me mesazh për lojtarët dardanë
Kombëtarja e Kosovës sot do të përballet me Rumaninë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kjo ndeshje është në kuadër të xhiros së pestë dhe vendimtare për vendin e parë në grupin C.
Rumania është lidere e grupit, teksa Kosova synon fitoren në mënyrë që ta rrëmbejë këtë pozitë, që çon në promovim direkt në Ligën B.
Te Kombëtarja e Kosovës atmosfera para ndeshjes është shumë e mirë, ndonëse ka disa mungesa për këtë përballje.
Pikërisht ata që mungojnë janë kujdesur që të motivojnë shokët e tyre që do të luajnë sonte.
Në dy video të shpërndara nga Federata e Futbollit e Kosovës, shihen Milot Rashica, Bersant Celina, Leart Paqarada, Emir Sahiti, Ermal Krasniqi, Arbër Zeneli e Donat Rrudhani.
"Forca djema, ju uroj shumë suksese edhe kthehuni me fitore", tha Rashica.
Bersant Celina kërkoi nga shokët që të përkrahin njëri tjetrin në fushë, në mënyrë që të arrijnë qëllimin, që është fitorja.
"Përshëndetje vëllezër, ju uroj më të mirën për ndeshjen e sotme. Jam këtu për t'ju treguar që më mungoni dhe se besoj në ju. Qëndroni të fortë sot, të bashkuar dhe përkrahni njëri-tjetrin dhe jam i sigurt që kualiteti do të flasë vet. Shumë fat, ju uroj më të mirat."
"Ju uroj shumë sukses për lojën e rëndësishme sonte. E meritoni fitoren, ju dua", tha Paqarada.
"Përshëndetje djema, shpresoj që të gjithë jeni mirë dhe ju dëshiroj shumë suksese në lojën kundër Rumanisë, shpresoj në fitore. Forca Kosova", u shpreh Ermal Krasniqi.
"Djema, ju uroj shumë suksese, InshaAllah do zoti me fitore dhe të jemi krejt bashkë, të luftojmë si ekip dhe ju dëshiroj shumë suksese. Më vjen keq që nuk jam me ju, por do të jem tifoz i juaj dhe shpresoj që të fitojmë", tha Emir Sahiti.
"Përshëndetje djema, ju uroj suksese në ndeshjen e sotme. Shpresoj që të ktheheni në Kosovë me një fitore. Jam me ju, FORCA KOSOVA," u shpreh Arbër Zeneli.
Donat Rudhani që është një mungesë e madhe sot për Kosovën, tha se i vjen keq që nuk është sot pjesë e skuadrës, por që uroi më të mirat për ndeshjen me Rumaninë.
"Përshëndetje djema. Më vjen keq që nuk jam në mesin tuaj. Ju uroj të gjithëve shumë fat, InshaAllah ktheheni në Kosovë me tri pikë. Të gjithë e dimë sa e rëndësishme është kjo lojë, kështu që Forca Kosovë, Forca djemë."
Kujtojmë që Kosova përballet sot me Rumaninë në udhëtim me fillim nga ora 20:45, ku vetëm fitorja është e rëndësishme.