"Krejt japin gjithçka ta kenë Messin vetëm 5 minuta" - Mascherano thotë se tifozët e PSG-së do të pendohen - NACIONALE

"Krejt japin gjithçka ta kenë Messin vetëm 5 minuta" - Mascherano thotë se tifozët e PSG-së do të pendohen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tifozët e Paris Saint-Germainit janë paralajmëruar se do të pendohen për kritikat që po ia bëjnë Lionel Messit, sipas Javier Mascheranos, i cili beson se ata janë me fat që e kanë në klub lojtarin më të madh të të gjitha kohërave.

Qindra tifozë të klubit parisien protestuan të mërkurën para zyrave të PSG-së, për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj shtatë herë fituesit të Topit të Artë, i cili do të largohet nga Parku i Princave në fund të këtij sezoni, kur edhe i mbaron kontrata.

Klubi parisien dha deklaratë rreth ngjarjes dhe i dënoi veprimet e tifozëve të vet, ku gjithashtu ofroi siguri të plotë tek shtëpia e Messit, Neymar dhe Marco Verratit.

Mbështetësit e pakënaqur të Parisit kritikuan rregullisht ikonën argjentinase dhe Mascherano ka mbetur i habitur se pse ai ka marrë një trajtim të tillë.

“Është për të ardhur keq që nuk e kuptojnë se janë me fat që e kishin Messin në ekipin e tyre. Mendoj se para 10 vitesh asnjë tifoz parisien nuk e imagjinonte se ata mund të kishin lojtarin më të mirë në histori në ekipin e tyre dhe në vend që ta shijojnë ata i kaluan këto dy vite duke e kritikuar”, tha Mascherano.

Ish-ylli i Liverpoolit dhe Barcelonës, i cili tani është trajner i ekipit U20 të Argjentinës, shtoi: “Pas 10 viteve ata do të pendohen. Çdo ekip në botë do të jepte gjithçka për ta pasur atë për pesë minuta. Asnjëra palë nuk e meritonte këtë përfundim. Nëse ka diçka që nuk mund të kritikohet për Messin është profesionalizmi i tij është e vështirë të gjesh dikë aq profesional sa ai, është lojtari më i mirë në histori. Është e pamundur ta kritikosh atë. Lëreni të shkojë atje ku është i lumtur dhe me familjen e tij. Ne do të vazhdojmë ta shikojmë në TV siç kemi bërë për gati 20 vite.”

Messi, i cili është pezulluar nga PSG-ja për dy javë pa pagesë pasi udhëtoi pa lejen e klubit drejt Arabisë Saudite, aktualisht po shqyrton opsionet e tij ndërsa përgatitet të jap lamtumirën Parisit./Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme