Kaos në Paris: PSG-ja e përforcon sigurinë pranë shtëpive të Messit e Neymarit dhe qendrës stërvitore - NACIONALE

Kaos në Paris: PSG-ja e përforcon sigurinë pranë shtëpive të Messit e Neymarit dhe qendrës stërvitore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Paris Saint-Germaini ka vendosur ta përforcojë sigurinë pranë qendrës stërvitore të klubit, si dhe pranë shtëpive të lojtarëve të vet Lionel Messi, Neymar dhe Marco Verratti, të cilët ishin cak i përkrahësve të klubit të mërkurën.

Disa qindra përkrahës të klubit u mblodhën të mërkurën pasdite pranë zyrtare të PSG-së për të shprehur pakënaqësitë e tyre me lojtarët Messi, Neymar, Verratti dhe me trajnerin Christophe Galtier.

Qindra prej tyre më pas u mblodhën edhe pranë shtëpisë së Neymarit, duke i kërkuar atij përmes këngëve armiqësore të largohet nga klubi.

Gazeta franceze L’Equipe raporton se tifozët e klubit kanë lënë të kuptohet se do t’i përsërisnin protestat e tyre çdo mbrëmje.

Si pasojë, PSG-ja ka vendosur të enjten ta përforcojë sigurinë në qendrën e vet stërvitore “Camp des loges”, si dhe pranë shtëpive të lojtarëve që janë cak i tifozëve, Messi, Neymar dhe Verratti.

Dje klubi i dënoi veprimet e tifozëve të vet, duke i quajtur ato të papranueshme dhe shprehu mbështetjen për lojtarët.

Paris Saint-Germain dënon ashpër veprimet e patolerueshme dhe fyese të një grupi të individësh, që zhvilluan një protestë para zyrave të klubit të mërkurën. Klubi jep mbështetje të plotë lojtarëve, stafit dhe të gjithë ata që janë në shënjestër nga një sjellje e tillë e turpshme”, thuhej në reagimin e klubit.

Reagimi i tifozëve vjen pasi PSG-ja e pezulloi Messin për dy javë pa pagesë, për shkak se argjentinasi e vizitoi Arabinë Saudite pa lejen e klubit në fillim të javës, duke munguar në stërvitje.

Sulmuesi 35-vjeçar, i cili iu bashkua PSG-së më 2021 në një marrëveshje dyvjeçare, ka qenë cak edhe i fishkëllimave të vazhdueshme të tifozëve vendas këtë sezon, të cilët e akuzojnë se nuk ka dhënë mjaftueshëm për klubin për ta arsyetuar pagën e lartë.

Messi do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni, kur edhe i përfundon kontrata në qershor./Nacionale/

Lajme të ngjashme