Kounde: Guardiola më ka telefonuar dhe ka shprehur interesim për mua
Mbrojtësi i Barcelonës, Jules Kounde, u transferua nga Sevilla gjatë afatit kalimtar veror. Në një intervistë të fundit vetë ai ka deklaruar se interesim për të kishte shfaqur edhe Pep Guardiola.
Për t’i fituar shërbimet e Jules Kounde ishte një garë e ashpër mes Chelseat dhe Barcelonës, ku në fund katalonasit ia dolën që ta siguronin kartonin e tij.
Ai është shquar me paraqitje të mira gjatë viteve të kaluara me Sevillan, çka ka bërë që të binte në sytë e klubit blaugrana, i cili me çdo kusht dëshironte që ta sjellte në radhët e veta.
Përveç dy klubeve të sipërpërmendura, del që edhe Manchester City përmes trajneri të vet, Pep Guardiola, të ketë qenë i interesuar për mbrojtësin francez.
Rrëfimi i Kounde për pëlqimin e Guardiolas
Në një intervistë dhënë për “El Pais”, mbrojtësi Jules Kounde nuk ka ngurruar që t’i tregojë disa prapaskena në lidhje me atë se çfarë ka ngjarë gjatë verës, kur ai ishte subjekt diskutimi për javë të tëra se ne cilën skuadër do të përfundonte.
“Guardiola më ka telefonuar. Më ka thënë që i pëlqeja dhe që besonte se do të përshtatesha në mënyrën se si ai aplikon futbollin në fushë”, shtoi Kounde.
Ai në vazhdim të intervistës tregoi se të dy trajnerët katalonas, si Guardiola, ashtu edhe Xavi, e kanë njohur në çdo dimension kapacitetin e tij.
“Kam folur shumë rreth futbollit me Guardiolan dhe Xavin. E kam vërejtur që qe të dy më kishin vëzhguar duke luajtur dhe njihnin në perfeksion kapacitetet e mia. Kanë qenë shumë të saktë në vlerësimet e tyre”, nënvizoi mbrojtësi i djathtë.
Jules Kounde është lojtar polivalent. Përveç pozitës së krahut të djathtë të mbrojtjes, ai di ta mbulojë edhe atë të qendërmbrojtësit. Gjatë kësaj interviste deklaroi se ku i pëlqen më shumë të luajë.
“Ajo e qendërmbrojtësit është pozita ime e preferua dhe ajo në të cilën më pëlqen të luaj. Xavi e di. Mirëpo nuk do të refuzoj të luaj kudo që vendosem në fushë, edhe pse gjithmonë kam luajtur në qendër dhe besoj që është roli ku më shumë kam qartësi në lojë”, përfundoi Kounde.
Kounde është regjistruar me vonesë për të luajtur në La Liga. Deri më tani ai ka regjistruar vetëm dy paraqitje si titullar me Barçën në kampionatin spanjoll. Ndërkaq, në Ligën e Kampionëve ai ishte titullar në ndeshjen që Barcelona e fitoi kundër Plzen gjatë javës së kaluar me rezultat 5:1.

