Barcelona demolon Sevillan, PSG dhe Napoli shënojnë fitore të rëndësishme në udhëtim - NACIONALE

Barcelona demolon Sevillan, PSG dhe Napoli shënojnë fitore të rëndësishme në udhëtim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka shënuar një fitore më të lehtë sesa që pritej duke e mposhtur Sevillan në terrenin e vet me rezultat të thellë 0:3. Fitore arriti edhe PSG në udhëtim me rezultat 0:3, ashtu sikurse edhe Napoli në “Olimpico” ndaj Lazios 1:2.

Barcelona me fitoren e sontme tregoi më së miri që me të drejtë llogaritet si një skuadër e cila mund të jetë rivale e denjë e Real Madridit në kampionatin e sivjetshëm.

Lewandowski po vazhdon të mos ndalet së shënuari, për t’i bërë kështu tifozët e Barcelonës që të shpresojnë se afrimi i tij në “Camp Nou” ka qenë vendim i zgjedhur nga drejtuesit e klubit.

Sa i përket PSG, me shumë lehtësi dhe pa u lodhur shumë, arriti të fitojë kundër Nantes në udhëtim, duke e konfirmuar edhe një herë një kimi të mirë në lojë mes Messit dhe Mbappes.

Ndërkaq, Napoli fitoi një ndeshje të vështirë siç ishte ajo kundër Lazios, me kapitenin e Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani që luajti titullar.

Raporti i ndeshjes Sevilla 0:3 Barcelona

Pritej një ndeshje paksa më e rivalizuar, por e tillë nuk ishte. Të paktën jo në fushë. Barcelona thuajse për asnjë moment nuk e vuri në diskutim fitoren.

Goli i parë i epërsisë erdhi në minutën e 21-të, me sulmuesin anësor Raphinha, i cili u shfaq i saktë para portës.

Pas një çerek lojë, Barcelona shënoi golin e dytë, duke dyfishuar epërsinë. Këtë e bëri përmes yllit polak, Robert Lewandowski, i cili pranoi bukur topin dhe goditi në cepin e majtë të portës kundërshtare.

Barcelona vazhdoi të ishte më e qartë në aksionet e veta sulmuese, ndërsa Sevilla haste në vështirësi që të ishte e rrezikshme.

Kësisoj, Barcelona gjeti edhe golin e radhës, të tretin në ndeshje, duke shënuar me Garcia në minutën e 50-të.

Me këtë fitore Barcelona shkon në kuotën e 10 pikëve, duke u renditur në pozitën e dytë, me dy pikë më pak sesa Real Madridi, rivali direkt dhe i urryer që zë vendin e parë. Kurse për Sevilla po konfirmohet një momentum aspak i mirë, meqë deri më tani ka grumbulluar vetëm një pikë.

Raporti i ndeshjes Nantes 0:3 PSG

Pa shpenzuar shumë energji, PSG ka arritur të fitojë në udhëtim kundër Nantes. Kësaj radhe sa i përket trinomit sulmues nuk luajti vetëm Neymar titullar, por i njëjti u inkuadrua në fushë në pjesën e dytë.

Gjithsesi, pas vetëm 18 minutash lojë Kylian Mbappe zhbllokoi rezultatin. Me topin e shërbyer nga Messi, ai nuk vonoi shumë dhe koordinoi një goditje të saktë, duke çuar topin në këndin e sipërm, ku portieri nuk mund të bënte asgjë më shumë për ta parandaluar golin.

Dominimi i PSG vazhdoi gjatë gjithë kohës, edhe pse Nantes mundohej që t’i prishte paksa punë përmes daljeve të shpejta, por pa sukses. Gjërat për vendësit u vështirësuan në minutën e 24-të, kur Fabio u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak.

Nga ky çast i ndeshjes, PSG e pati edhe më të lehtë që ta administronte epërsinë e krijuar. Atë e dyfishoi në minutën e 55-të, gjithmonë përmes kombinimit të mirë mes Messit dhe Mbappe, që prodhoi golin e dytë.

Në gjysmë orëshin e fundit Galtier bëri paksa rrokadë në formacion. Goli i tretë erdhi nga Mendes në minutën e 68-të të takimit.

Me këtë fitore PSG zë vendin e parë me 16 pikë të grumbulluara, po aq sa ka edhe rivali i madh i tij, Marseille.

Raporti i ndeshjes Lazio 1:2 Napoli

Napoli ka arritur një fitore domethënëse në “Olimpico”, duke gjunjëzuar Lazion e Sarrit. Në këtë sfidë Rrahmani luajti nga minuta e parë, duke e formuar tandemin e qendërmbrojtjes me Kim.

Golin e parë e shënuar vendësit përmes Zaccagnit në minutën e 4-të të ndeshjes.

Edhe pse të gjendur në disavantazh, skuadra e Spallettit nuk u dorëzua, por mblodhi forcat dhe provoi ta gjente golin e barazimit. Ai u arrit në minutën e 38-të përmes mbrojtësit të transferuar nga Fenerbahce, Kim.

Loja dominohej nga Napoli dhe paraqitja e mirë u shpagua në minutën e 61-të, kur Kvaratskhelia shënoi një gol të bukur nga gjysmë distanca, i cili doli edhe vendimtar, me ç’rast Napoli arkëtoi tri pikët e plota.

Pas kësaj fitoreje, Napoli përkohësisht zë vendin e parë me 11 pikë të grumbulluara, kurse Lazio të shtatin me 8 pikë.

Lajme të ngjashme