Kosova U21 me lojë të kujdesshme - Albert Bunjaki debuton në stolin e shpresave me një pikë të fituar - NACIONALE

Kosova U21 me lojë të kujdesshme - Albert Bunjaki debuton në stolin e shpresave me një pikë të fituar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shpresat e Kosovës ia dolën ta arkëtojnë një pikë ndaj Sllovenisë, në një lojë që u karakterizua si e kujdesshme, me ritëm të ulët. Rikthimi i Albert Bunjakit në stolin dardan pas pesë vjetësh, kësaj radhe në cilësinë e përzgjedhësit të Kosovës U21, u shënua me disa ndryshime në formacion, të cilat mundësuan që të ruheshin disa ekuilibra në fushë. Spikatën Ilir Krasniqi dhe Valon Zumberi, si lojtarët që nuk ranë asnjëherë nga loja.

Albert Bunjaki vendosi ta rreshtojë ekipin kombëtar me formacionin 4-1-4-1, ku Ilir Krasniqit iu dha detyra defanzive, si mesfushor i tërhequr. Kjo ishte paraqitje debutuese për të. Kurse në mungesë të alternativave në krahun e djathtë të sulmit, vendosi të improvizojë me Patriot Sejdiun, duke e provuar si sulmues të djathtë. Në mesfushë, i përballur me shumë telashe, ku nga informatat jo-zyrtare bëhet e ditur që Altin Kryeziu nuk ka mundur të grumbullohet pasi u konfirmua mungesa e Ismet Lushaku, me Gentrit Limanin që iu pamundësua nga klubi ardhja pasi ftesa shkoi me vonesë, si dhe me Florent Hotin që vinte nga një lëndim tani e dy muaj, i cili po përballet me probleme të natyrave të ndryshme (dështimi i huazimit gjatë afatit kalimtar të janarit, lëndimi i pësuar më vonë, mos-aktivizimi në kampionatin skocez, si dhe çështja e përfundimit të kontratës në qershor që nuk po merr epilog) - Albert Bunjaki u detyrua ta rikthejë në pozitën natyrale Kreshnik Krasniqin, duke formuar treshën balancuese me Ilir Krasniqin dhe Adrion Pajazitin.


Edhe kësaj radhe nuk ndryshoi ndonjë gjë sa i përket vendosjes së Andi Hotit të Inter Primavera, gjithmonë jashtë pozitës së tij natyrale, ku luajti si mbrojtës i djathtë, me Kurtulus dhe Zumberi që formonin dyshen e qendërmbrojtjes.

Ndeshja filloi me lojtarët e rinj kosovarë që ishin tërësisht të hutuar, gjersa u komponuan dhe kompaktësuan në fushë. Zhvillohej minuta e tretë kur Leard Sadriu liroi hapësirë për anësorin kundërshtar, topi defiloi në zonë, por pa u devijuar nga askush. Ky ishte momenti i parë që sllovenët dhanë indiciet e tyre se kishin ardhur për t'i marrë pikët e plota. Tryesnia e mysafirëva vazhdoi, kur në minutën e 7-të të sfidës, Andi Hoti ishte tërësisht i përgjumur, me ç'rast harroi kundërshtarin Matko që i erdhi nga mbrapa. Fatmirësisht ky i fundit u tregua jo i saktë me goditjen e tij.

Kosova assesi të këndellej në minutat e para. Disa çaste më vonë, konkretisht në minutën e 12-të, Ilir Krasniqi me ndërhyrje zhagas rrezikoi seriozisht të shkaktojë penalti. Gjyqtari çuditërisht nuk e pa, duke i favorizuar dardanët nga ky episod. Në çdo rrethanë, vlen të përshëndetet angazhimi i tij vetëmohues.

Lojtarët tanë të rinj ishin tërësisht të shthurrur në lojë dhe sllovenët vazhduan me insistim që ta kërkonin gjetjen e golit. Nuk kaluan më shumë se 120 sekonda kur portieri ynë, Nreca, bëri mrekullinë duke neutralizuar goditjen e Zugelj.

Per 19 minutat e para të takimit Kosova asnjëherë nuk doli me pasime në gjysmëfushën kundërshtare. Gjatë këtij fraksioni të ndeshjes, Ilenic dhe Zugelj ua vështirësuan jetën Veliut dhe Sadriut, me dalje të shpejta e shpeshta nga ai krah i fushës.

Duhej pritur minuta e 20-të për ta parë një dalje të Kosovës në repartin e fushës kundërshtare. Tek në një moment dolën në tranzicion përmes Andi Hotit, që shërbeu për Patriot Sejdiun, me ç'rast Kosova fitoi edhe këndoren e parë.

Pikërisht nga ajo këndore Kreshnik Krasniqi harkoi tokazi, kur Andi Hoti me të djathën e tij duke u koordinuar provoi të shënojë pasi shmangi markimin e Ilenicit, por goditja e tij përfundoi mbi portë.


Kjo ishte një kthesë e vogël e lojës, pasi për një çerek lojë në vazhdim Kosova arriti ta reduktojë tempon e lojës së kundërshtarëve. Ritmi i lojës ra dukshëm.

Në minutën e 35-të sllovenët u rikthyen sërish në sulm. Ilir Krasniqi ishte shumë i vëmendshëm në leximin e rrjedhës së aksionit, kur Markus u lirua në zonës e rreptësisë dhe u përpoq nga këndi i djathtë ta vendosë topin në thellësi të zonës së ngushtë të portierit Nreca, por ishte lojtari i Llapit që kuptoi shumë mirë dhe me ndërhyrje zhagazi devijoi topin në këndore. Sërish u tregua inteligjent Iliri në përceptimin e pasimeve të lojtarëve rivalë në fushë-

Loja fitoi pak gjallëri kur Nreca në minutën e 42-të degazhoi me shpejtësi topin, i cili pa Veliun të lirë. Ky i fundit pasoi për Patriot Sejdiun, mirëpo ani se i gjendur i izoluar, provoi për ta bërë të pamunduren duke u liruar nga kundërshtari i parë me driblim, por pastaj u dyfishua dhe kaloi rreziku. Kjo ishte hera e parë kur Kosova doli me më shumë se tre pasime në gjysmëfushën sllovene.

Dardanët e rinj filluan të marrin pak zemër, kur në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Adrion Pajaziti ekzekutoi këndoren e dytë për Kosovën. Sërish kosovarët u shfaqën të rrezikshëm nga ndërprerjet, me Leard Sadriun që devijoi topin me kokë, por portieri slloven, Turk, u tregua me reflekse të mëdha, me ç'rast largoi rrezikun, duke spastruar rrezikun me dorën e djathtë.

Kësisoj, pjesa e parë përfundoi me rezultatin baras, 0 me 0!

Fillimi i pjesës së dytë u karakterizua me një vetëbesim më të lartë nga lojtarët e udhëhequr nga Albert Bunjakit, me Leard Sadriun që filloi ta rrisë përformancën në aspektin defanziv. Kur po luhej minuta e 52-të, ishte sulmuesi anësor i djathtë i Sllovenisë, Zugelj, ai që mori topin duke u gjend i lirë në pozitë ballore në 25 metrat e fundit. Nga aty nuk vonoi shumë pasimi për bashkëlojtarin e tij nga ana e majtë e sulmit, Matko, i cili shpejt shërbeu në qendër për Bosilij, mirëpo Leard Sadriu zgjati këmbën para tij, duke shpëtuar një gol të sigurt.


Kosova filloi të reagojë. Pak sekonda më vonë në një moment, Andi Hoti për herë të parë u afrua me topin në pronësi në 30 metërshin kundërshtar, kur pasoi për Valmir Veliun, mirëpo ky i fundit nuk ishte i saktë me goditjen që bëri me këmbën e djathtë, me topin që përfundoi mbi trasversale. Ky ishte momenti i parë që Kosova u mundua të rrezikojë nga një aksion që derivon nga loja aktive, ndryshe nga më herët që shkëndijat e para i kishte dhënë vetëm nga ndërperjet.

Pas 54 minutave lojë, stafi teknik i Kosovës U21 bëri zëvendësimet e para. Adrion Pajaziti dhe Patriot Sejdiu dolën nga loja, për t'u dhënë hapësirë Qëndrim Zybës dhe Altin Zeqirit. Duhet thënë që Pajaziti nuk i arsyetoi pritshmëritë. Ai ishte përgjegjës për ekzekutimin e këndoreve dhe me Florent Hotin që ishte lënë në bankë rezervë, si dhe me Ismet Lushakun që mungonte për shkak të infektimit me covid-19, ai kishte pranuar më shumë detyra prej lojtarit udhëheqës në lojÓ. Gjithsesi, nuk ishte mbrëmja më e mirë për mesfushorin nga radhët e Fulham U23. Kurse Patriot Sejdiu, duke luajtur jashtë pozitës së tij natyrale, në një ndeshje që nuk ishte më e përshtatshmja e mundur për sulmuesit anësorë, u përpoq të ambientohet me detyrat defanzive, ani se me raste la boshllëqe të mëdha, pa pasur komunikim të mirëfilltë me Andi Hotin në krahun e djathtë të fushës.

Pas një orë lojë të zhvilluar, kosovarët zëshëm u ankuan për një penalti të pa akorduar. Mark Marleku u mundua të pasojë në brendi të zonës kundërshtare, por Ilenic devijoi topin me dorë. Për gjyqtarin ishte gjithçka e rregullt, ani se nga pamjet u pa që dora e djathtë e mbrojtësit slloven ishte e hapur. Fillimisht topi kishte prekur këmbën e Ilenic, e pastaj dorën e djathtë të tij.

Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse gjyqtari i ndeshjes e ka vlerësuar si jo penalti dhe si kontakt të pavullnetshëm me dorë.

Pjesa e dytë ashtu siç nisi, ashtu edhe vazhdoi të luhej. Pra, me ritëm të ulët të lojës, si dhe me Slloveninë që humbën shkëlqimin në lojë, falë edhe organizimit më të mirë në fushë të dardanëve të rinj.

Albert Bunjaki në minutën e 70-të provoi ta shkundë ekipin kombëtar kosovar, kur vendosi ta largojë nga fusha Mark Marlekun, për t'i dhënë hapësirë Ardit Tahirit. Marku nuk arriti të lë asnjë gjurmë në këtë takim, ndonëse duhet thënë që për vet natyrën e ndeshjes që u zhvillua, nuk pati shumë furnizime me topa për të. Gjithsesi, në çdo rast, vinte nga një formë e dobët që po kalon në Kriens, në ligën e dytë zvicerane. Diçka e tillë u reflektua edhe sot, pasi nuk u pa i freskët në vrapim siç ishim mësuar ta shihnim.

Kosova U21 filloi të besojë më shumë në cilësitë dhe shkathtësitë e veta.

Sulmuesi këmbëshpejtë i Llapit, Valmir Veliu, në minutën e 78-të vrapoi nga këndi i majtë për ta shërbyer në brendi të zonës së portës sllovene Kreshnik Krasniqin, por ai nuk arriti për fare pak të mbërrijë i pari te topi për ta devijuar atë në gol. Duhet theksuar që nga pjesa e dytë edhe Valmir Veliu, njësoj si Leard Sadriu, përmbushen më me sukses detyrat defanzive, duke krijuar më mirë dyfishimet, çka mundësoi edhe në mos lënien e hapësirave të zbrazura njësoj sikurse që ndodhi në pjesë të parë.

Gjithsesi, vetëm pak sekonda më vonë, mbrojtësi i krahut të djathtë slloven, Ilenic, provoi të harkojë nga 30 metra, por topi mori një trajektore të çuditshme, duke shkuar drejt cepit të lartë të djathtë të portës së Nrecës, mirëpo ky i fundit u tregua i përqendruar mjaftueshëm, duke devijuar topin në këndore.

Kjo e sotmja ishte edhe paraqitja më stabile dhe bindëse e portierit Nreca, i cili ka pasur shumë luhatje të formës në ndeshjet e mëparshme me Kosovën në këtë grupmoshë.

Fraksioni i fundit i lojës u shoqërua me lojë pasive, jo-efektive dhe ndërprerje të shpeshta. Në minutën e 89-të Kosova bëri edhe dy zëvendësimet e fundit me Florent Hotin dhe Arlind Sejdiun që u futën në lojë, në vend të dy lojtarëve të Llapit si Ilir Krasniqi dhe Valmir Veliu.

Mirëpo, deri në fishkëllimen e fundit të gjyqtarit, nuk u shënua ndonjë rast apo episod që ia vlen të përmendet.

Kështu u mbyll edhe ndeshja, me portat që mbetën të patundura dhe me Kosovën që fitoi një pikë ndaj sllovenëve, duke grumbulluar 7 pikë gjithsej, për t'u renditur në pozitën e parafundit tabelare, me dy pikë më pak sesa Shqipëria dhe Sllovenia, por që të cilat kanë gjithashtu një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Deri në fund të këtij cikli kualifikues, shpresat tona do të luajnë përballë Sllovenisë në udhëtim pas katër ditësh, me fillim në ora 16:00.
Tri ndeshjet e fundit do t'i zhvillojnë në muajin qershor, ku më 4 qershor do të luajnë si mysafir ndaj Andorrës, për t'u kthyer pas gjashtë ditësh në Prishtinë për t'u ndeshur përballë Anglisë në Fadil Vokrri dhe tek në fund, më 14 qershor, luajmë kundër Shqipërisë në udhëtim - me të cilën do ta përmbyllim edhe këtë dritare kualifikuese.

Lajme të ngjashme