Kosova U21 e mposht Izraelin në Podujevë, ngjitet në pozitën e tretë në grup - NACIONALE

Kosova U21 e mposht Izraelin në Podujevë, ngjitet në pozitën e tretë në grup

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës U21 në futboll, ka shënuar fitore komode 3:1 ndaj Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2025, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë.

Përkundër pritshmërisë në fillim të këtij cikli kualifikues, djemtë e udhëhequr nga Afrim Toverlani, nuk e nisën në mënyrën më të mirë, edhe pse fituan ndeshjen e parë, pasi në katër ndeshjet tjera radhazi nuk shijuan fitoren, duke humbur dy herë dhe barazuar dy herë.

Por sot, ata kthehen te fitoret, për t’u ngjitur në vendin e tretë, ndonëse kjo renditje mund të jetë e përkohshme nëse Bullgaria shënon fitore më vonë ndaj Estonisë.

Sa i përket ndeshjes së sotme, Izraeli ishte ajo që pati më shumë posedimin në këmbët e tyre dhe që krijuan pak më shumë raste, por Kosova ishte më efikase.

Bleron Krasniqi shënoi dy gola të shpejtë brenda 10 minutave të parë të takimit, për ta çuar rezultatin në 2:0 (minutën e gjashtë dhe të 10-të).

Izraeli me anë të Stav Nachmani në minutën e 24-të e ngushtuan rezultatin në 2:1, me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Deri në fund të takimit, Kosova U21 shënoi edhe një herë. Ishte Veton Tusha, sulmuesi i Dinamos së Tiranës, që gjeti rrjetën, me tentimin e parë që u ndal nga portieri, ku nga topi i kthyer shënoi për 3:1 në minutën e 80-të.

Kështu, me rezultat 3:1, të udhëhequrit e Afrim Toverlanit, e marrin fitoren e dytë në këtë cikëë kualifikues, për t’u ngjitur një vend më lartë, ndërsa Izraeli U21 ende nuk e ka shijuar fitoren, duke humbur të tre ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Lajme të ngjashme