Kosova U19 barazon me Maltën vendase, kualifikohet në Elite Round
Pas fitores së Kombëtares U21 të Kosovës, tani edhe Kosova U19 ka marrë një rezultat pozitiv, por këta të fundit me barazimin 2:2 ndaj Maltës U19, janë kualifikuar në Elite Round si lider i grupit të shtatë.
Elite Round është faza e dytë kualifikuese për EURO 2024, ku me një sukses tjetër të këtij lloji, Dardanët e rinj, mund të kualifikohen në Evropianin që mbahet në Irlandën Veriore në korrikun e vitit të ardhshëm.
Për të arritur në këtë fazë kualifikuese, djemtë e udhëhequr nga trajneri Adil Maliqi, patën paraqitje të jashtëzakonshme, duke barazuar me Sllovakinë 1:1 fillimisht, pastaj për ta mposhtur me rezultat të thellë Ukrainën 4:0, dhe së fundmi duke barazuar me Maltën nikoqire 2:2.
Kosova U19 pati paraqitje të mirë edhe sot, ku deri në momentet e fundit ishte duke fituar, por një penallti e dyshimtë ndryshoi paksa situatën në grupin e shtatë.

Malta kaloi e para në epërsi, kur në minutën e gjashtë, Matthias Fenech, shënoi për 1:0.
Kosova U19 e përmbysi rezultatin brenda pjesës së parë. Ishte fillimisht Elvir Gashijani që nxori një penallti, të cilën Eliot Bujupi e konvertoi në golin e barazimit 1:1 në minutën e 39-të.
Ndërsa për të kaluar në epërsi ishte Diar Gërbovci, që në minutën e 42-të shënoi gol të bukur me goditje jashtë zonë së rrezikshme.
Kur mendohej se Kosova U19 e kishte përfunduar punën, gjyqtari kryesor akordoi një penallti të dyshimtë për vendasit, që në pamje të parë nuk u duk se pati kontakt. Lucas Caruana goditi në anën e kundërt të Art Miftarit, për ta barazuar rezultatin në 2:2, me të cilin rezultat përfundoi ndeshja.
Kosova U19 me këtë barazim zë pozitën e dytë në grup, pas Ukrainës, me të dyja këto kombëtare që kualifikohen në Elite Round nga grupi shtatë.

